Së paku katër vetë humbën jetën nga një shpërthim në një xhami të Kabulit.
“Mjetet shpërthyese, të vendosura në xhaminë Shir Shah-E-Suri, shpërthyen gjatë faljes së Xhumasë”, tha përmes një njoftimi Ministria e Brendshme e Afganistanit.
Në mesin e të vrarëve thuhet se është edhe një imam.
Përgjegjësinë për sulmin nuk e mori asnjë grup.
Talibanët, përmes një deklarate, e dënuan atë dhe thanë se vdekja e imamit është “një krim i madh”.
Dega në Afganistan e grupit militant Shtetit Islamik ka marrë përgjegjësinë për një sulm në një xhami tjetër të Kabulit, më 2 qershor, ku po ashtu ka mbetur i vrarë një imam.
Këtë javë, i dërguari amerikan për paqe në Afganistan, Zalmay Khalilzad, ka qëndruar në rajon, në përpjekje për të ringjallur një marrëveshje të paqes midis Uashingtonit dhe talibanëve, të nënshkruar në shkurt, me qëllim përfundimin e luftës 18-vjeçare në Afganistan.
Marrëveshja përcakton një orar të tërheqjes së trupave amerikane nga ky vend, në këmbim të angazhimeve të sigurisë nga talibanët.
Uashingtoni kërkon gjithashtu bisedime paqeje midis Qeverisë afgane dhe talibanëve.
Top Channel