KLSH/ Meta: Po shuaj çdo dyshim. Duhet ta dinë të gjithë deputetët aktualë se…

12/06/2020 13:28

Presidenti Ilir Meta tha se nuk do të pranojë asnjë kandidaturë për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, nëse nuk plotëson parimin themelor, atë të barazisë dhe paanshmërisë nga politika.

I pyetur nga gazetarët se si do të veprojë, nëse mazhoranca i rrëzon edhe kandidaturën e katërt, Kreu i Shtetit theksoi se do t’i qëndrojë i hekurt këtij detyrimi, duke shtuar prerë se “Kjo nuk ka të bëjë me faktin që ata mund të jenë socialistë, por që kryetari i KLSH duhet të jetë një person që të garantojë pavarësinë e këtij institucioni nga mazhoranca aktuale, apo pas zgjedhjeve të ardhshme, nëse do të ndryshojnë raportet, nga mazhoranca e ndryshme”.

“Nuk dëshiroj të paragjykoj se çfarë do të bëjë Kuvendi, është e drejtë e Kuvendit të përmbushë përgjegjësitë e tij. Unë do të respektoj gjithmonë Kushtetutën. Ajo që dua të theksoj këtu, që lidhet dhe me përvjetorin e PS, është që në vlerësimin tim unë jam udhëhequr dhe do të udhëhiqem nga detyrimi i që i jep Kushtetuta presidentit për të dhënë besimin për një përfaqësues, që në radhë të parë garanton barazinë dhe paanshmërinë në KLSH.

Më duhet të shuaj çdo spekulim apo thashethem për të ardhmen lidhur me këtë çështje, se unë do t’i qëndroj në mënyrë të hekurt këtij detyrimi që i jep Kushtetuta presidentit dhe në këtë aspekt vlerësoj shumë kandidatë nga ana profesionale, që mund të jenë anëtarë të mazhorancës aktuale dhe të administratës aktuale, që kanë shprehur dëshirën e tyre për këtë post, por duhet të dini edhe ju, edhe të gjithë deputetët aktualë dhe opinioni publik, që të gjithëve ua kam bërë të qartë se kush është parimi nga i cili jam udhëhequr në propozimin për kryetarin e KLSH. Kjo nuk ka të bëjë me faktin që ata mund të jenë socialistë, por që kryetari i KLSH duhet të jetë një person që të garantojë pavarësinë e këtij institucioni nga mazhoranca aktuale, apo pas zgjedhjeve të ardhshme, nëse do të ndryshojnë raportet, nga mazhoranca e ndryshme”, theksoi Presidenti Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA