Top Channel mëson të reja të tjera për Hekuran Billën 40 vjeç, që u qëllua për vdekje mbrëmjen e djeshme brenda makinës së tij, përballë një qendre tregtare në Tiranë, në zonën e Komunës së Parisit.
Hekuran Billa, mëson Top Channel pak përpara se të ekzekutohej ka qenë në Durrës.
Ai ka ardhur përpara qendrës tregtare në Tiranë ku edhe ka parkuar pasi ka dashur të takojë motrën e tij e cila ka nje dyqan pranë kësaj qendre.
Ky ka qene pikërisht momenti kur edhe autorët e kanë ekzekutuar. Billa se fundmi ka hyrë në Shqipëri, para 5 ditësh, nga pika kufitare e Morinit, nga Kosova. Sipas burimeve thuhet se ai u kthye nga Belgjika.
Hekuran Billa, rezulton një person me precedent të theksuar kriminal, pasi në vitin 2006, ai ekzekutoi me brëshëri në një lokal në Angli, shtetasin Prel Marku ndërsa la të plagosur tre të tjerë, Petrit Brahoj, Agron Gjoni dhe Musa Rrahmani.
Për këto vepra penale, gjykata në Angli e dënon Hekuran Billën me burgim të perjetshëm, ndërsa nëntë vite më pas, në vitin me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë Shqiptare 2016 ai ekstradohet drejt vendit tonë për të vujatur pjesën e mbetur të dënimit. Në Shqipëri Billa kërkoi një tjetër proces gjyqësor për njohjen e vendimit. Gjykata shqiptare ja konvertoi burgimin e përjetshëm me 25 vite burg, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar, për veprën penale që ai akuzohej. Pasi mori këtë vendim tre vite më vonë, Billa bëri sërish një kërkesë në gjykatë për tu liruar me kusht, që e arriti ta marrë në vitin 2019.
Sipas të afërmve të tij, të pyetur jashtë kamerave nga Top Channel, së fundmi 40 vjeçari Billa, kishte nisur të hapte edhe një biznes të tijin për makinat me qera, por që nuk arriti dot ta vinte në funksion.
Top Channel