Virxhinia, protestuesit rrëzojnë statujën e Kristofor Kolombit

11/06/2020 02:30

Në Virxhinia në SHBA, protestuesit rrëzuan statujën e Kristofor Kolombit ku pas rrëzimit i vunë flakën dhe e hodhën në liqen.

Protestuesit u mblodhën në Sheshin Byrd të kryeqytetit të Virxhinias, Riçmond me thirrjet për të rrëzuar statujën. Gazeta Richmond Times-Dispatch njoftoi se një pjesëtar i një shoqate të popullatës indigjene e mori fjalën, duke bërë krahasime mes vuajtjeve të popullatës indigjene dhe asaj afrikano-amerikane në SHBA.

Videoja nga zona tregon një turmë të mbledhur përreth statujës në muzg. Ata e rrëzuan statujën me litarë dhe shkruan mbi të fjalët “Kolombi përfaqësonte gjenocidin”, para se ta hidhnin në liqen. Gazeta njofton se në park nuk kishte prani policore, por në qiell u pa një helikopter i policisë që lëvizte mbi zonë.

Gazeta Times-Dispatch thotë se statuja e Kolombi ishte vendosur në Riçmond në 1927 dhe ishte statuja e parë në nderim të Kristofor Kolombit në jugun amerikan. Rrëzimi i saj përkon me protestat mbarë kombëtare, pas vdekjes së afrikano-amerikanit, George Floyd, gjatë arrestit në Mineapolis në fund të majit. Incidenti krijoi revoltim në shkallë ndërkombëtare lidhur me reagimin e policisë, me thirrjet për reforma në departamentet policore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA