
Një protestues është plagosur rëndë në kokë pas rrëzimit të statujës së një lideri skllavopronar në Virginia të SHBA.
I plagosuri rreth të tridhjetave ishte pjesë e protestuesve që rrëzuan statujën mbrëmjen e djeshme.
Sipas dëshmitarëve, grupi kishte hedhur litarë rreth bazës së statujës dhe e tërhiqte prej kohësh, derisa papritur monumenti ra vetë duke goditur burrin që po qëndronte para tij.
Policia e Portsmouth nxiti qytetarët të shpërndahen që oficerët të hetojnë incidentin “që rezultoi në plagosjen e një qytetari”.
Demonstruesit ranë në heshtje pas ngjarjes dhe pranuan kërkesën e policisë për t’u shpërndarë.
Në total, katër statuja janë rrëzuar në Portsmouth të lidhura me epokën e skllavërisë në Virginia.
Veprimet vijnë bashkë me protesta të gjera për vdekjen në dorë të policisë së George Floyd, pasi oficeri i bardhë Derek Chauvin i mëshoi me gju mbi qafë për më shumë se tetë minuta.
Ndërsa 100 km më larg në Richmond protestuesit rrëzuan statujën e ish-Presidentit jugor amerikan Jefferson Davis, teksa më pas e tërhoqën dhe e lanë në mes të një kryqëzimi.
Top Channel