Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se ka pak prova që tregojnë se ndryshimi i stinëve do të ndikojë në përhapjen e koronavirusit.
“Nuk mund të mbështetemi në shpresat se sezoni ose temperatura do të jenë përgjigja e kësaj”, tha udhëheqësi i programit të emergjencave në OBSH, Mike Ryan.
“Për momentin, nuk kemi të dhëna që sugjerojnë se koronavirusi do të sillet në mënyrë më agresive ose jo kur sezoni të ndryshojë”, shtoi ai.
Në fazat e para të pandemisë së koronavirusit, disa kanë thënë se koha e nxehtë mund ta ngadalësojë përhapjen e tij. Por, kjo ide është zbehur pasi koronavirusi ka vazhduar të përhapet në hemisferën veriore edhe gjatë pranverës. Ryan po ashtu tha se mungesa e pajisjeve personale mbrojtëse mbetet një problem madhor në nivel global.
“Sistemet shëndetësore në disa vende janë duke luftuar dhe ndodhen nën presion të madh”, tha zyrtari i lartë. Koronavirusi që e ka origjinën në Kinë, ka prekur mbi 7.2 milionë njerëz në gjithë botën. Prej tyre, mbi 3.4 milionë janë shëruar dhe mbi 413,000 kanë vdekur.
Top Channel