Dalja nga muajt e mundimshëm të izolimit, u shoqërua me një ndjesi të fortë lehtësimi dhe shprese për rikthim sa më të shpejtë në normalitet.
Por frika e një vale të dytë të sëmundjes vazhdon të mbetet e pranishme, e përforcuar edhe nga paralajmërimet e autoriteteve shëndetësore nëpër botë, që e presin mbërritjen e saj në vjeshtë. Megjithatë, disa ekspertë në Itali, shohin pak dritë në fund të tunelit. Presidenti i Këshillit Superior të Shëndetësisë në vendin fqinj, Franco Locatelli deklaroi se me shumë gjasë, vala e dytë do të jetë më e butë se e para.
“Duhet të jemi të përgatitur për mbërritjen e një vale të dytë të infektimeve, e cila, nëse do të vijë vërtet, nuk besoj se do të ketë për çdo rast, përmasat dhe fuqinë e të parës”, u shpreh Locatelli.
Pohimet e tij vijnë në kohën kur Universiteti John Hopkins në Amerikë njoftoi se në botë u kapërcye niveli i 7 milionë të infektuarve. Në Itali sakaq, fondacioni Gimbe ka dhënë alarmin, duke thënë së ne rajonet ku virusi qarkullon më shumë, po bëhen më pak tampone.
Top Channel