Sugjerimi i Brukselit, kufijtë e jashtëm hapen në korrik

10/06/2020 21:14

Komisioni Evropian do ti rekomandojë vendeve anëtare të BE të fillojnë rihapjen e kufijve të tyre të jashtëm për udhëtarët nga jashtë bllokut, nga 1 korriku.

Vendimi për zbutjen e kufizimeve të ndërmarra për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit, i takon vendeve anëtare, por shefi i diplomacisë së BE, Josep Borrell, tha se Brukseli do të sugjeronte një heqje graduale dhe të pjesshme të ndalimit.

“Heqja e kufizimeve të përkohshme të udhëtimeve në kufijtë e jashtëm do të vijë në një fazë të dytë. Dhe këtë javë, ne do ti kërkojmë komisionerëve evropianë të ofrojnë vlerësimin e tyre me objektivin që këto kufizime të fillojnë të zbuten duke filluar nga 1 korriku me disa vende të treta”.

Vendet anëtare të BE kanë filluar të zbusin kufizimet e përkohshme të kalimeve jo të domosdoshme të kufirit brenda bllokut, me qëllim që në 15 qershor të rikthehet udhëtimi i lirë. Në fundjavë, ministrat e jashtëm të 27 vendeve anëtare ranë dakord të koordinojnë një rihapje graduale për udhëtarët nga jashtë zonës Shengen. Por, komisionerja për çështjet e brendshme, Ylva Johansson, tha javën e kaluar se jo të gjitha vendet kanë rënë dakord për kriterin e rihapjes, me disa që nxitojnë më shumë se të tjerët. Greqia psh, ekonomia e të cilës varet shumë tek turizmi, ka njoftuar se do të rihapë qiejt e saj nga 15 qershori për një listë vendesh, përfshirë edhe shtete jo anëtare të BE si Australia, kina dhe Koreja e Jugut.

Ndërkohë të mërkurën, Austria njoftoi se do të rihapte kufirin e saj me Italinë nga 16 qershori dhe do të lejonte udhëtimin e lirë nga më shumë vende të tjera evropiane nga ajo datë, ndërsa vendi zbut kufizimet e koronavirusit.

“Ju lutem, kur të bëni gati valixhet, mos harroni ndërgjegjen. Ne vazhdojmë të jemi në mes të krizës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA