
97 raste të reja në Greqi në 4 ditët e fundit.
Autoritetet shëndetësore në Greqi risjellin përsëri informimin ditor për rastet e të infektuarve me Covid-19, pas njoftimit se në katër ditët e fundit në vend janë regjistruar 97 të prekur me koronavirus dhe dy persona kanë humbur jetën.
Prej rasteve të reja 30 u përkasin udhëtarëve që kanë mbërritur në Greqi nga shtetet e tjera, ndërsa 29 të tjera u zbuluan gjatë një kontrolli masiv në qytetin e Ksanthit, një prej pikave të prekura nga virusi në muajt e karantinës.
Kështu numri i përgjithshëm i rasteve shkon në 3049, kurse i vdekjeve në 183. Mosha mesatare e viktimave është 76 vjeç dhe 95.6% e tyre kishte historik të rënduar shëndetësor. Gjithashtu trajtohen në repartin e terapisë intensive 10 pacientë.
Qeveria greke që po ndjek me kujdes situatën dhe zhvillimet ka paralajmëruar se nuk do të hezitojë të propozojë vendosjen e masave të reja të karantinave lokale apo edhe të një lockdown- i, nëse është e nevojshme, ose të ndalojë fluturimet nga aeroportet dhe destinacionet specifike që sjellin turistë me virus – siç ishte rasti i atyre që mbërritën nga Doha e Katarit disa ditë më parë.
Zëvendësministri i Mbrojtjes Civile ka inspektuar mesditën e së hënës aeroportin e Selanikut, i cili do të hapet pas një jave, ndërsa gjithë aeroportet e tjera të vendit do të rihapen në 1 korrik me masa të rrepta për sigurinë e shëndetit publik.
Orët e fundit edhe ministri i Turizmit konfirmoi se në datën 15 qershor do të hapen edhe kufijtë tokësorë të vendit, pra edhe ato me Shqipërinë, duke shtuar se do të ketë kontrolle me një metodologji specifike, në varësi të vendit të origjinës, bazuar në një model, i cili është përshkruar nga mjekët dhe do të zbatohet nga Mbrojtja Civile.
Aleksandër Marku
Top Channel