(Një propozim konkret për të parandaluar dhe trajtuar problemin e abuzimit nga Koordinatorja Kombëtare e Edukimit Katolik Shqiptar)
Koha kalon dhe fatkeqësisht ende dëgjuam e dëgjojmë, brenda shkollave e jashtë tyre, drama jete të fëmijëve tanë, vajzave e djemve që janë shpresa dhe aspirata e së ardhmes së vendit. Plaga e një ngacmimi, me keq akoma, i një abuzimi seksual është gjëma më e madhe që mund t’i ndodhë një fëmije në rrugëtimin e jetës së vet e aq më e madhe është për shoqërinë kur një gjë e tillë ndodh në një indiferencë e në një heshtje bashkfajtore dhe e në një kulture paragjykimi të vetë shoqërisë e cila me këtë qëndrim vret viktimën për së dyti herë, duke e lënë vetëm dhe të pa shpresë për shërim e drejtësi.
Këtë pikërisht kam shprehur dhe në një artikull të gati një viti më parë të publikuar në faqen zyrtare të Motrave Saleziane me titull: “Një reflektim mbi ngjarjen e Kavajës. Për një shoqëri të përgjegjshme që të mos ndodhë prapë.” kështu e përfundoja reflektimin tim:
“Që të mos ndodhë më zgjohuni prindër, zgjohuni edukatorë! Po nuk u zgjuat ju, nuk do të zgjohen institucionet dhe llogarinë do ta paguajnë bijtë tuaj, e bijtë e tyre, por edhe ju vetë. Bëhuni kërkues për çdo gjë që u serviret fëmijëve tuaj dhe mbi të gjitha mos i lini fëmijët vetëm. Të mos na ndodhë që pas habisë dhe keqardhjes të bjerë prapë heshtja dhe monotonia dhe të rrisim një shpresë të rreme se nuk do të ndodhë më. Nëse nuk zgjohemi, do të ndodhë prapë edhe me keq, pasi ata djem janë, si të tjerët, viktima të një papërgjegjësie a indiference të komuniteteve.”
Ja ku jemi prapë në një rast të ngjashëm madje edhe më të rëndë. Por dicka ka ndryshuar. Dje tek marshimi kundra dhunës ndaj një të miture, pashë shumë prindër, shumë adoleshentë e të rinj. Kjo më gëzon zemrën pa masë, sepse tregon se shoqëria jonë është gjallë.
Zgjimi i shoqërisë është vetëm një ndër aspektet e rëndësishme të përballjes së problemit. Megjithatë dëshiroj të nënvizoj faktin se ky fenomen është kompleks, ndaj kërkon ndërhyrje shumëplanëshe dhe tanimë jemi të vetëdijshëm që është maja e një ajsbergu. E pikërisht për këtë askush nuk mund të lajë duart duke ia hedhur përgjegjësinë tjetrit: Familjet, institucionet, shoqëria civile etj. pasi ndërsa ne merremi me këto debate, do na kalojnë edhe raste të tjera pa u vënë re, dhe këtë nuk mund t’ia lejojmë vetes kurrsesi pasi do tradhëtonim akoma më tepër besimin e fëmijëve tanë.
Në këtë shkrim në të cilin shpreh indinjatën tonë si rrjet (jo vetëm timen personale) për sa ka ndodhur, dëshirojmë jo vetëm të solidarizohemi, por dhe të themi që jemi të pranishëm si pjesë e zgjidhjes së problemit.
Po mbushet një vit që kur si rrjet i shkollave të Edukimit Katolik KKEKSH kemi bërë prezantimin e dokumentit të Politikës për mbrojtjen e fëmijëve dhe të procedurave që të gjitha institucionet edukative të rrjetit ndjekin dhe respektojnë tanimë.
Puna disa vjecare që e ka paraprirë finalizimin në një Politike të tillë me në qendër krijimin e një sistemi parandalues e gjithashtu dhe trajtues, vjen si përgjigje e ndjeshmërisë dhe kujdesit tërësor që ne gjithnjë kemi si aktorë në rritjen dhe mirëqënien e fëmijëve që na besohen në institucionet tona edukative, si dhe vënien në zbatim të interesit më të lartë të tyre.
Shoqëria jonë po përjeton në shumë nivele një krizë e një vështirësi për të gjetur ekuilibra në vlera e parime të natyrshme historikisht për popullin tonë, por dhe të rregulluara në legjislacionin tonë në koherencë me atë evropian dhe botëror.
Realiteti pra na therret të gjithëve me urgjencë akoma më të madhe që të vihemi në lëvizje për të gjetur mënyrën si të bëjmë të mundur që të rrisim përgjegjësinë qytetare ndaj të miturve, si t’u ofrojmë atyre një ambient të sigurt, jo vetëm në shkollë, po kudo. Si t’i bëjmë shkollat tona vatra ku siguria e të miturve nuk fokusohet thjesht rreth abuzimeve por përkthehet në pakujdesje 360 gradëshe. Ndaj çdo faktori që ndikon në mirërritjen dhe jetën e fëmijëve, në sigurinë e tyre fizike dhe morale. Në vecanti kur fatkeqësisht ndodh që të bëhen pre e së keqes, të mos ndjehen vetëm kurrë, të kenë ku të strehohen me besim e mundësi rekuperimi e shërimi, kjo është detyra, detyrimi do thoja unë, më i rëndësishme për ne të rriturit.
Po ashtu një shtysë tjetër në krijimin e një Politike dhe një modeli organizativ konkret si ky i rrjetit tonë të shkollave, është edhe ecja që Kisha Katolike ka bërë e po bën në parandalimin e çdo forme abuzimi ndaj të miturve dhe thirrja e fuqishme e Papa Francesk-ut.
Si pjesë e gjalle e aktorëve në lëmin e edukimit, mendojmë se ky kontribut mund të vlejë edhe si shembull për t’u marrë nga sistemi arsimor shqiptar në tërësi, duke qenë kjo një punë e bërë dhe në bashkëpunim të ngushtë jo vetëm me ekspertizë kombëtare por edhe ndërkombëtarë si model të realizueshëm dhe të aplikueshëm lehtësisht nga të gjitha institucionet edukative në vend (duke filluar që nga kopshtet e deri në gjimnaze).
Ndaj i bëjmë ftesë të gjithë aktorëvë dhe në vecanti edhe Ministrisë së Arsimit e të gjitha institucioneve të linjës, sikurse dhe qeverisjeve vendore, të ndërmarrin krijimin e disa tryezave të rrumbullakëta pune për të arritur në një sistem kombëtar funksional trajtimi të rasteve të mundshme por kryesisht parandalimi në fushën e mbrojtjes së fëmijëvë si një detyrim urgjent ndaj pjesës më të rëndësishme të popullatës: Fëmijëve.
Ne e kemi filluar ecjen tonë, nuk do të ndalemi pasi e dimë vlerën që ka, por njëkohësht gjithnjë jemi të hapur për çdo bashkëpunim.
Mendojmë se kështu japim denjësisht kontributin tonë në parandalimin e rasteve, në evidentimin dhe adresimin e tyre dhe njëkohësisht edhe sensibilizimin dhe formimin e të gjithë aktorëve rreth shkollës: Mësuesit Punonjësit, nxënësit, prindërit dhe komunitetet që e rrethojnë.
Zoti na ndricoftë e na dhëntë vullnet që konkretisht të mos i zhgënjejmë më fëmijët tanë!
Top Channel