Kompania globale biofarmaceutike “AstraZeneca” njoftoi se ka dyfishuar kapacitetin e saj për prodhimin e vaksinës potenciale të Universitetit të Oksfordit kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në 2 miliardë doza.
Përmes një njoftimi për media të enjten vonë kompania bëri të ditur nënshkrimin e marrëveshjes me Koalicionin për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI), Gavi -Aleanca e Vaksinave dhe Institutit Serum të Indisë (SII) për të prodhuar 1 miliard doza për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Më tej kompania tha se planifikon të sigurojë 400 milionë doza para fundit të vitit 2020.
Kompania arriti një marrëveshje me vlerë prej 750 milionë dollarësh me CEPI dhe Gavi, organizata shëndetësore e mbështetur nga bashkë-themeluesi i Microsoft-it, Bill Gates dhe familja e tij, për të mbështetur prodhimin, prokurimin dhe dërgesat e 300 milionë dozave me qëllim fillimin e shpërndarjes deri në fund të vitit 2020.
Shefi ekzekutiv i “AstraZeneca”, Pascal Soriot tha se: “Jemi duke punuar për të përmbushur angazhimin tonë duke siguruar qasje të gjerë dhe të barabartë të vaksinave të Oksfordit në të gjithë globin dhe pa asnjë fitim. Sot shënohet një hap i rëndësishëm në drejtim të ndihmës që të furnizojmë qindra miliona njerëz në mbarë botën, përfshirë ato në vendet me të ardhura më të ulëta”.
“Jam thellësisht mirënjohës për angazhimin e të gjithëve për këtë kauzë dhe për punën e tyre për të arritur këtë në një kohë kaq të shkurtër”, tha Soriot.
Muajin e kaluar AstraZeneca “përmbylli marrëveshjet e para për të paktën 400 milionë doza dhe ka siguruar kapacitetin e përgjithshëm prodhues për 1 miliard doza ndërsa dërgesat e para do të fillojnë në shtator 2020″.
AstraZeneca kohën e fundit ra dakord të furnizojë me 400 milionë doza SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar” pasi arriti një marrëveshje licence me Universitetin e Oksfordit për vaksinën e saj të mundshme, duke riemëruar vaksinën si AZD1222.
Universiteti i Oksfordit njoftoi fillimin e testimit të fazës së dytë dhe të tretë të AZD1222 në rreth 10 mijë vullnetarë të rritur.
“AstraZeneca pranon se vaksina mund të mos funksionojë por është e angazhuar për përparimin e programit klinik me shpejtësi dhe rritjes së prodhimit”.
Top Channel