Top Story vërtetoi vetëm që Sami Hoxha bëri një premtim për të nxjerrë leje qëndrimi jashtë procedurave ligjore. Por fizikisht nuk e vërtetoi dot.
Për ti shkuar deri në fund Top Story vendosi të investigojë ortakët e zotit Sami. Në këtë dokumentar Top Story përmend që në kompaninë “FRENKI” ai ka si ortak një shtetas arab nga Jemeni, me emrin Adel Thabi. Ne kërkuam të zbulojmë se si e ka marrë lejen e qëndrimit ortaku i Sami Hoxhës
Kjo është një leja e qëndrimit për Adel Thabin. E nxjerrë në datë 15 shkurt 2019 me një afat 5 vjeçar. Kjo është procedura e aplikimit e fotografuar në sistemin e drejtorisë së policisë kufitare. Aty lexojmë se garant për këtë shtetas është bërë kompania Frenki.
Pozicioni i tij në këtë kompani është ortak biznesi. Pra ky shtetas i Jemenit është ortak direkt në kompaninë e Sami Hoxhës. Si e ka marrë ai lejen e qëndrimit në zyrën e emigracionit, atje ku është drejtoreshë gruaja e Sami Hoxhës.
Top Story do të verifikojë datat se kur Adel është bërë ortak në kompaninë FRENKI, kur ka aplikuar për leje qëndrimi dhe kur e ka marrë atë leje.
Leja e tij e qëndrimit mban datën 15 shkurt 2019 e vlefshme deri 15 shkurt 2025. Por një muaj e gjysmë më vonë, më datë 26 mars 2019, aplikimi i tij rezulton se sapo kishte nisur. Madje kishte mangësira. Atij i lihet 30 ditë afat për të dorëzuar ekstraktin e QKB.
Adel Thabi s’kishte si ta dorëzonte ekstraktin e QKB sepse nuk ishte bërë ortak akoma me Sami Hoxhën.
Sipas vendimit të asamblesë së kompanisë ai është bërë ortak në datën 29 prill 2019. Më 20 maj dorëzon dokumentet e munguara. Duhej ti dorëzonte brenda 30 ditësh, por në fakt i ka dorëzuar pas 56 ditësh. Çuditërisht dy ditë më vonë sistemi tregon se leja e tij qëndrimit miratohet.
Këtu kemi të bëjmë me një procedurë që është bërë e gjitha mbrapsht. Pra, ortaku i Sami Hoxhës nga Jemeni ka marrë leje qëndrimi që në muajin shkurt në emër të kompanisë Frenki, por është bërë ortak i kësaj kompanie 3 muaj më vonë. Këto fakte tregojnë favoret që Sami Hoxha bënte për bashkëpunëtorët e tij, duke përdorur postin e gruas si drejtoreshë të emigracionit.
Top Channel