Pas luftës, krimeve dhe burgut, në fushatë për të hyrë në kuvend

02/06/2020 09:47

Ashtu si në mbledhjet e tanishme të Kuvendit të Serbisë, pas zgjedhjeve të ardhshme, individë të dënuar për krime lufte të kërkuar nga organet gjyqësore ndërkombëtare mund të jenë pjesë e parlamentit.

Zgjedhjet në Serbi në të gjitha nivelet janë caktuar më 21 qershor. Për të marrë pjesë në to, nënshkrimet e nevojshme aktualisht janë duke u mbledhur nga Dragan Vasiljkoviq, i njohur si Kapiten Dragan, i dënuar për krime lufte i cili pas mbajti dënimin u lirua më 28 mars nga burgu i Lepoglavës në Kroaci.

Dragan Vasiljkoviq u dënua me 13 vite e gjysmë burg, sipas verdiktit për krime lufte në Knin dhe Glinë ku shërbeu si komandant gjatë luftës në Kroaci nga viti 1991 deri më 1992.

Më pak se dy muaj pas lirimit nga burgu, Vasiljkoviq ka njoftuar se do të përpiqet që të fitojë një ulëse në Kuvendin e Serbisë.

“Unë u kam premtuar serbëve që i kam lënë në burgje, të cilët u dënuan me shumë vite burg, kundër të cilëve nuk ka asnjë provë të vetme të verifikuar, se unë do të jem zëri i tyre,” ka thënë Vasiljkoviq para gazetarëve në Kragujevc më 23 maj.

Ai acaroi publikun me anë të një deklarate që bëri për një tabloid të Beogradit se do të kërkonte lirimin me kusht për Milorad Ulemek dhe Zvezdan Jovanoviq, të dy të dënuar me nga 40 vite burg për organizimin dhe kryerjen e vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjinqiq më 12 mars të 2003.

Sheshel- i dënuar dhe deputet

“Sipas këndvështrimit tim, kjo gjë është plotësisht e papranueshme, por është diçka që nuk më befason”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Ivan Gjuriq, drejtori i programit të Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

“Normalizimi i pjesëmarrjes së kriminelëve të luftës ose të dyshuarve për krime lufte, në jetën politike të (Serbisë) është duke ndodhur për vite me radhë,” thotë Gjuriq, organizata e të cilit merret me çështje të pajtimit dhe trajtimit të së kaluarës.

Gjatë seancës së fundit parlamentare, organizata YIHR ka kërkuar që liderit të Partisë Radikale serbe, Vojislav Sheshelit, t’i hiqej mandati i deputetit, pas dënimit që mori për krime lufte, nxitje të përndjekjes, depërtimit dhe shpërnguljes së kroatëve në fshatin Vojvodina të Hrtkovcit në vitin 1992.

Sidoqoftë, Bordi Administrativ i Kuvendit të Serbisë, asnjëherë nuk e konsideroi shkarkimin e tij (Sheshelit), dhe ai tani prapë po kandidon në zgjedhjet e ardhshme si bartës i listës së partisë së tij, ka bërë të ditur Komisioni Zgjedhor i Republikës më 9 mars.

Kush flet sot për krime të luftës në Serbi?

Njëri nga pjesëmarrësit e paktë në zgjedhjet e ardhshme që publikisht flet për krimet e luftës gjatë fushatës zgjedhore është avokati Aleksandar Olenik, drejtuesi i Forumit Opozitar Qytetar Demokatrik (GDF) si dhe kandidat për deputet në listën e Serbia e Bashkuar Demokratike.

“Kjo temë është fshehur që kur janë kryer krimet e luftës dhe gjenocidi”, ka thënë Olenik për Radion Evropa e Lirë.

“Çdo bisedë gjatë fushatës në lidhje me krimet e luftës, do të ishte një lloj konfrontimi me të kaluarën dhe me krimet e luftës, veçanërisht ato krime lufte të cilat janë kryer në emrin tonë, ka thënë Olenik.

“Pa u përballur me krime lufte, ne nuk mund të lëvizim drejt së ardhmes dhe të ndërtojmë paqe të qëndrueshme me të gjithë fqinjët tanë në Ballkan, as nuk mund të lëvizim me sukses dhe me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian, dhe ky është qëllimi i parë dhe themelor i Forumit Opozitar Qytetar Demokatrik dhe Listës Serbia e Bashkuar Demokratike”, tha Olenik.

Sipas Ivan Gjuriq nga Nisma Rinore, tema e trajtimit të së kaluarës dhe krimeve të luftës është një histori e mbyllur për elitën politike në pushtet në Serbi, gjë në të cilën ata nuk duan të kthehen.

Nisma Rinore protestoi kur Veselin Sljivanqanin, i cili ishte duke vuajtur dënimin e tij pas aktgjykimit për krime në Ovqara afër Vukovarit, kishte folur në tribunën e Partisë Progresive Serbe në pushtet, në Beska në Vojvodinë në janar të 2007-tës, si dhe kur Ministria e Mbrojtjes e Serbisë botoi një libër të gjeneralit Nebojsha Pavkoviq, i cili është duke vuajtur dënimin me burg në Finlandë bazuar në një aktgjykim të gjykatës së Hagës për krime kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë vitit 1999.

Ata gjithashtu ngritën zërin kur aktivistët e Partisë Socialiste Serbe (SPS), kërkuan që të ngrihet një monument për themeluesin e partisë, Slobodan Milosheviq, i cili vdiq në paraburgim në Hagë më 11 mars të 2006-tës derisa ishte duke u gjykuar për gjenocid dhe krime të luftës.

Pse marrja me të kaluarën nuk është temë zgjedhore?

Bojan Klaqar, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, një organizatë që monitoro proceset zgjedhore në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë që krimet e luftës dhe temat e trajtimit të së kaluarës nuk i përkasin ndërtimit të rezultatit të zgjedhjeve.

“Ekzistojnë dy arsye, e para është se kjo temë nuk i përket rrethit të prioritetev të vetë qytetarëve. Ata thonë se prioritet i tyre janë temat socio-ekonomike, një trend i cili po ndiqet që nga viti 2014. Papunësia dhe varfëria përbëjnë dy të tretat e problemeve gjëra për të cilat njerëzit flasin, dhe pas tyre vinë, korrupsioni, problemet e të rinjve dhe shëndetësia…
Arsyeja tjetër është se ne tani kemi një tematikë plotësisht ndryshe.

“Për shkak të krizës po ashtu edhe për shkak të forcimit të prioriteteve socio-ekonomike, ne kemi dalë nga një ndryshim për shembull nga viti 2000 deri më 2008 si dhe pjesërisht deri në vitin 2012, kjo është nacionale kundër pro-evropiane, konservatore kundër-modernes”, thotë Klaqar.

Cilat janë shanset në zgjedhje për të dënuarit?

Bojan Klaqar beson se të dënuarit për krime lufte, si Dragan Vasilkoviq, nuk kanë shans të madh në zgjedhjet e ardhshme, për sipas tij, këta persona gjetën motivin dhe besimin se nëntoka në Serbi aktualisht është e përshtatshme për ide dhe organizata të krahut të djathtë.

“Kur them nëntoka, dua të them faktin që ne jetojmë në një lloj krize ekonomike dhe sigurie, e cila në njëfarë mënyrë gjenerohet nga ana e djathtistëve. Në të njëjtën kohë, ajo kombinohet me një lloj aventurizmi politik të këtyre njerëzve që përpiqen të përfitojnë nga tema të tilla”, thotë Klaqar duke ritheksuar se ka pak shanse që të priten rezultate më serioze nga e djathta ekstreme.

Përveç Vasiljkoviqit dhe Sheshelit, ulësen e deputetit po e synojnë edhe Vjerica Radeta dhe Petar Jojiq, anëtarë të Partisë Radikale serbe, për të cilët po kërkohet nga ana e Mekanizmit ndërkombëtar i mbetur nga e kaluara për gjykatat penale (trashëgimtar i Tribunalit të Hagës) për shkak të kërcënimit të dëshmitarëve në procedurat kundër Sheshelit.

Në listën e Partisë Radikale serbe për tu bërë deputet është edhe Bozhidar Deliq, komandanti i Brigadës së 549-të të ushtrisë jugosllave gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Fondi për të Drejtën Humanitare ka ngritur dy kallëzime penale kundër tij për krime luftë ndaj shqiptarëve në Kosovë (e para në 2008 dhe e dyta në 2013). Në rastin e parë, i referohet krimeve në fshatin Trnje, lënda e cila u procedua, por Deliq nuk mori pjesë si i akuzuar por si dëshmitarë, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë nga Fondi për të drejtën humanitare.

Në rastin e dytë të paraqitur nga ky Fond, bëhet fjalë për krime në fshatin Landovica në Kosovë në mars të vitit 1999, dhe ende janë në pritje të shqyrtimit të kësaj lënde.

Në mars të vitit 2018, ky Fond gjithashtu ka paraqitur një raport për krimet e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë kundër kandidatit për deputet nga lista e krahut të djathtë të opozitës “Aleksandar Shapiq- Fitorja për Serbinë”, Svetozar Andriq-it. Fondi tha për BIRN-in se nuk kanë informacione nëse apo se di është shqyrtuar ky rast.

“Frika ime është për atë se çfarë po përgaditet prapa nesh,” ka thënë përfaqësuesi i Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, Ivan Gjuriq.

“Ajo që më befason është se kjo gjë nuk është temë e shumicës së njerëzve apo edhe e mediave,” përmbyllë Gjuriq.

Sipas kandidatit për deputet, Aleksandar Olenik, shmangia e temës së krimeve të luftës ka çuar në një situatë në të cilën ka mundësi që sallën e Kuvendit, ta ndajë nëse hyn, me ata që u dënuan për këto krime. /REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA