Profesori i Harvard: Po dëshmojmë Amerikën si një eksperiment social të dështuar

01/06/2020 17:26

Profesori i filozofisë së Universitetit të Harvard në SHBA, Dr. Cornel West foli dje në një intervistë me rrjetin CNN mes protestave kombëtare e ndërkombëtare për vrasjen nga policia të George Floyd në Minneapolis, duke ngritur akuza të forta për supremaci të bardhë, neofazhizëm të presidentit Donald Trump dhe rivalëve demokratë, dhe një sistem amerikan drejtësie që brutalizon të varfërit dhe njerëzit me ngjyrë.

Ai përmendi gjithashtu padrejtësi e pabarazi të sistemit kapitalist neo-liberal në SHBA, të dominuar nga dy partitë kryesore në pushtet.

Teksa protestat vijonin në Minneapolis, jashtë Shtëpisë së Bardhë e në dhjetra qytete amerikane, West i tha gazetares Anderson Cooper: “Mendoj se jemi duke dëshmuar Amerikën si një eksperiment të dështuar social. Me këtë dua të them se historia e njerëzve me ngjyrë në 200 vjetët e fundit personifikon këtë dështim. Ekonomia jonë kapitaliste po shihet që nuk mund të prodhojë një mënyrë dinjitoze jetese. Komb-shteti ynë dhe sistemi i tij i drejtësisë nuk mund të gjenerojnë të drejtat e liritë, prandaj tani kultura jonë, që është aq e udhëhequr nga tregu i lirë, nuk jep dot ushqimin për shpirtin, kuptimin apo qëllimin”.

West shtoi se zemërimi për vrasjen e Floyd nga policia — për të cilën oficeri Derek Chauvin, është arrestuar dhe akuzuar për vrasje të gradës së 3-të – i shtohet “stuhisë perfekte” të dështimeve të tjera dhe pabarazisë në sistemin imperial amerikan, për të cilat njerëz si Martin Luther King, Jr. e të tjerë kishin paralajmëruar që prej mesit të shekullit të kaluar.

“Pashë pamjet në Atlanta, aty shihej Vëlla Martini që thoshte ‘Unë ju paralajëmrova për militarizmin, për varfërinë, për materializmin, për racizmin në të gjitha format e tij, dhe për ksenofobinë’. Ajo që po shohim sot në Amerikë është fryti i atyre që kemi mbjellë. Vrasja e Vëlla George, ishte një linçim i nivelit më të lartë, askush nuk mund ta mohojë”.

West më tej denoncoi Presidentin Donald Trump duke e quajtur “një gangster neo-fashist në Shtëpinë e Bardhë, që nxit pabarazi endemike, kulturën e lakmisë dhe konsumerizmin, duke shkelur të drejtat dhe dinjitetin e njerëzve të varfër apo minoriteteve, ashtu siç ka bërë çdo president”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA