Shkencëtarët kinezë thanë sot për mediat britanike se janë “99%” të sigurtë se vaksina kundër COVID-19 do të jetë efektive.
Grupi bioteknologjik i Pekinit, Sinovac, është duke kaluar vaksinën e prodhuar prej tij në fazën e dytë të testimeve në rreth 1000 vullnetarë. Ata lejuan për herë të parë në laboratoret e tyre rrjetin Sky News.
Krye-studiuesi i Sinovac, Luo Baishan, tha se vaksina do të jetë me siguri e suksesshme.
“Po sigurisht … do të jetë 99% e suksesshme,” tha ai.
Muajin e kaluar Sinovac publikoi rezultatet e kërkimeve të saj në revistën Science ku thuhej se vaksina e saj CoronaVac, mbronte majmunët nga infektimi me koronavirus.
Problemi kryesor me të cilin ata përballen në Kinë është numri i ulët i të infektuarve me COVID-19 që e bën të vështirë testimin e vaksinës në një situatë epidemie. Prandaj kompania po shikon për territore të tjera për testimet e saj të fazës së 3-të.
Sekretarja e investimeve të kompanisë Helen Yang: “Ne jemi duke folur për vendet evropiane dhe besoj se përfshihet edhe Britania”.
Top Channel