(VIDEO)/ Kinemaja Maks Velo në Laprakë, Rama: La pas një emër në historinë e artit e kulturës shqiptare

28/05/2020 12:51

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga transformimi i kinemasë në Laprakë, e cila do të mbajë emrin e Maks Velos, që u nda nga jeta pak javë më parë.

“Maks Velo u nda nga kjo jetë pak kohë më parë, pas një rrugëtimi vetmitar, plot ëndrra e pasion krijues, me ambicie e inate të mëdha, shfaqje ekstravagante të lirisë individuale, si kur përfundoi në ferrin e të mallkuarve të komunizmit dhe si kur u kthye nga ai ferr në xhunglën e tranzicionit shqiptar, me të njëjtën fuqi për t’i mbijetuar dyndjes së re të barbarisë kulturore, herë si pëllumb e herë si skifter, duke lënë pas një thesar kujtimesh tek miqtë e armiqtë e tij dhe një emër të dallueshëm në historinë e artit e të kulturës shqiptare”, shkroi Rama.

Më tej shtoi:

“Emrin e Maksit do ta mbajë tashmë kinemaja e rindërtuar në Laprakë, e cila si për ironi të fatit lindi me emrin “Ylli i Kuq” dhe rilindi me emrin e Maks Velos, si një shembëlltyrë e vetë botës së tij, ku errësira mbushej me figura e tinguj ngjyrash, ndërsa drita me jehonë hapash të vetmuar…”

Kinemaja u projektua nga vetë Velo në vitet ’70, ndërsa tashmë do të ketë një kapacitet prej 140 vendesh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA