Besimtarë të shumtë myslimanë sot gati pas më shumë se dy muajsh janë kthyer në xhamitë e vendit për të falur namazet.
Duke respektuar distancën sociale, dhe të pajisur me maskat mbrojtëse, shumë qytetarë të besimit islam sot iu janë kthyer vendit ku luten dhe kryejnë rituale të tjera. Këta të fundit kanë folur me gëzim për vendimin e ri që është marrë nga qeveria, derisa theksojnë se kanë qenë të vështira këto ditë kur xhamitë kanë qenë të mbyllura.
Thirrja e ezanit qe fton besimtarët islamë për faljen e namazit i mblodhi ata në xhami pas më shumë se dy muajve. Në Xhaminë e Madhe në Prishtinë në faljen e namazit të drekës kanë marrë pjesë qytetarë të cilët të gjithë i respektuan masat e parandalimit të përhapjes së Covid-19. Në hyrje të Xhamisë së Madhe në kryeqytet janë vendosur dezinfektues, e rekomandime që tregojnë se besimtarët myslimanë duhet të jenë të pajisur me maska. Gjithashtu ata që kanë ardhur të falin namazin e drekës po mbajnë distancën nga dy metra.
Faik Rushiti, i cili flet me gëzim thotë se sa herë që është thirrur ezani i ka “therur zemra”.
“Ne sot jemi shumë të lumtur që arritëm edhe një herë me u falë te xhamia. Se kur i shikoja xhamitë mbyllen e u thirrke ezani zemra më therke prej zorit, e prej sikletit. Nuk jemi mësuar kurrë me na u mbyll xhamitë, qysh para 200 vjetësh. Kështu që u bë mirë, inshAllah Zoti ua ka bërë kabull të gjithëve ramazanin. Zoti këtë popull e drejtoftë në rrugë të mirë, se na jemi lodh na ka ardhur shpirti qitu, prej këtyre politikanëve e faqezive”, thotë ai për KosovaPress.
E, Fehmi Tetari i cili është haxhi tash e disa vjet thotë për KosovaPress se kthimi në xhami është gëzim për të sepse përveç faljes së namazit në xhami, i kanë munguar edhe shokët.
“Shumë i gëzueshëm jam tash pas dy muajve a sa ka që erdhëm në xhami për të falur namazin. Jam shumë i gëzueshëm… Edhe në shtëpi e kemi falur namazin por jo me tepër kënaqësi, më mungonin shokët, gjithçka më mungonte, por prapë se prapë u dashke me fal namazin”, thekson Tetari.
Hapjes së xhamisë i është gëzuar edhe Isa Terholli, i cili po thotë se besimtarit myslimanë duhet të kujdesen edhe për masat mbrojtëse.
“Sot e kemi një gëzim shumë të madh se ka më shumë se dy muaj që nuk kemi mundur të falemi. As terapi, as drekë, as ikindi. E falënderoj Zotin që na i ka bërë të mundshme me ardh me u kthyer prapë në xhamitë tona…E kam marrë sexhaden për me shtru, mos me i pengo askujt, me u mbrojt edhe popullin, thotë edhe feja e ligjëratës islame, çdo rreziku duhet me ju përmbajt se mundesh me rreziku edhe dikë”, thotë ai.
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) Sabri Bajgora, tha se hapja e xhamive është një lajm i gëzueshëm për të gjithë besimtarët myslimanë. E po ashtu sipas tij janë respektuar të gjitha rekomandimet e IKShP-së dhe institucioneve të tjera shëndetësore.
“Duke e lutur Zotin e madhërishëm që kjo pandemi të kalojë sa më shpejt, dhe që populli ynë të jetë gjithmonë në shëndet dhe mirëqenie. Sot ky ishte një lajm i gëzueshëm për të gjithë besimtarët që t’iu kthehen vend-faljeve të tyre, ku ata do të mund sërish të adhurojnë Zotin pas një periudhe pasi që thamë mbi dy muaj. Ne ju përmbajtëm në përpikëri të gjithë atyre rekomandimeve që na erdhën nga organet tona të qeverisë, nga ministria dhe nga IKShP”, ka deklaruar ai.
Bashkësia Islame e Kosovës rekomandon besimtarët që gjatë prezencës në xhami të vazhdojnë t’i përmbaheni masave të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë për parandalim të përhapjes së virusit, i cili edhe më tej vazhdon të jetë prezent në Kosovë.
Ndryshe, përpos xhamive, prej sot janë të hapura edhe kishat. Besimtarët e krishterë kanë mundësi që të Dielën e Rrëshajëve të mund të kremtojnë me mesha nëpër kishat anë kënd Kosovës.
Top Channel