VIDEO/ Anulohet shembja e pallatit me tritol në Durrës, shkak kushtet atmosferike

21/05/2020 10:33

Për shkak të kushteve atmosferike, reshjeve të shiut dhe shkarkesave elektrike që ndikojnë në masat e sigurimit teknik, shembja e kontrolluar me eksploziv e pallatit 6 katësh në Durrës është anuluar.

Reshjet e dendura të shiut përgjatë orëve të para të mëngjesit kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve në Durrës.

Kështu, shembja me tritol e pallatit është shtyrë për ditë e premte dhe nga ora 12.00 deri në orën 17.00, IKMT ju bënë thirrje qytetarëve të lënë hapur dritaret dhe dyert e banesave dhe subjekteve të tyre për të shmangur valën goditëse.

Njoftimi i plotë:

Duke ju kërkuar ndjesë banorëve të zonës, ju bëjmë me dije se për shkak të kushteve atmosferike, reshjeve të shiut dhe shkarkesave elektrike që ndikojne në masat e sigurimit teknik, shembja e kontrolluar me eksploziv e pallatit 6 katesh, nr. 1062, që ndodhet në lagjen 7, prapa Drejtorisë së Policisë, nuk do të realizohet sot, por do të kryhet ditën e premte, më datë 22 Maj.

Specialistët e IKMT kanë marrë masat e sigurisë për kryerjen pa dëm të shpërthimit, megjithatë për arsye sigurie njoftojmë të gjithë banorët e banesave dhe subjekteve që ndodhen pranë këtij pallati (në një rreze 300 m nga vendi i shpërthimit) që ditën e premte, datë 22 Maj 2020, nga ora 12.00 deri në orën 17.00 të lënë hapur dritaret dhe dyert e banesave dhe subjekteve të tyre për të shmangur valën goditëse, të ulin në dysheme televizorë e kompjuter dhe të largohen nga banesat dhe subjektet e tyre. Ju falenderojmë për mirëkuptimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA