Punimet në Rr. “Kadri Kërçiku”, Veliaj: Të bashkëpunojmë për Teatrin e ri, askush s’mund ta pengojë zhvillimin e qytetit

20/05/2020 14:49

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi përfundimin e punimeve në Rr. “Kadri Kërçiku”.

“Kjo rrugë është një venë komunikimi midis rrugës së Elbasanit, nga njëra anë, dhe Qytetit Studenti e gjithë banesave të tjera në këtë anë, duke sjellë urbanizim. Plani është që të mbarojmë urbanizimin në zonat urbane dhe në lagjet përreth Qytetit Studenti, ndërkohë që janë zhvilluar edhe mbledhjet e para të komisionit për ndërtimin e Kampusit të ri Universitar. Po ashtu, do të ribëjmë edhe tre konviktet që ishin zaptuar dhe kur them të zaptuara, e them në kontekstin e shumë ndërtesave të zaptuara në Tiranës, siç ishte Teatri, siç kanë qenë shkollat, kopshtet”, tha Veliaj.

Ai shtoi se puna në këtë lagje do të vijojë edhe me ndërtimin e konvikteve të reja, ndërsa theksoi se rregulli i këtij qyteti është që, askush dhe për asnjë arsye nuk e zapton pronën publike: “Ata që e kishin zaptuar, qoftë edhe për 30 vjet, ‘Qytetin Studenti’ morën qira, po trajtohen me respekt e dinjitet. Qiratë po paguhen nga taksat e atyre që s’kanë zaptuar asgjë. Do ndërtojmë pallatet pas projektit të rindërtimit për tërmetin, do marrin shtëpitë e reja, por jo zaptim në Qytetin Studenti. Për studentët do ndërtojmë konviktet që u shembën prej tërmetit, do ndërtojmë po ashtu edhe pjesët e tjera të Kampusit Universitar, për ta kthyer në një nga ishujt më modernë të Tiranës sonë”, tha Veliaj.

“Jam mirënjohës për qytetarët që kanë bashkëpunuar, rruga mbaroi shumë shpejt. Kur ka bashkëpunim, puna mbaron shpejt; kur bllokojmë njëri-tjetrin, si tek Astiri dhe Teatri, do t’i kishim mbaruar këto punë, por sapo i kemi nisur. Ndaj, nëse do kishim bërë përjashtime, fjala vjen do t’i lejonim zaptuesit e Qytetit Studenti, por jo ata të Teatrit, apo nëse do lejonim zaptuesit e një kopshti dhe jo ata te Astiri, do kishte të drejtë secili të thoshte se këtu ka diskriminim. Por, përsa kohë që rregulli në këtë qytet është që ti nuk zapton dhe ti nuk e pengon qytetin të zhvillohet, atëherë kjo vlen për këdo”, tha Veliaj.

Veliaj u bëri thirrje për bashkëpunim të gjithëve se qyteti duhet të ecë përpara: “Na duhet ende bashkëpunim te Astiri sepse kemi akoma punë për të pastruar çibanët e vegjël, që të sigurohemi që ajo të jetë një arterie ekonomike dhe transport i rëndësishëm për Tiranën. Na duhet ende bashkëpunim tek Teatri: 22 vite debat dhe dy vite e gjysmë konsultime morën fund, tani le të shohim përpara. Kush mendon se ato parti që nuk e shpallën kurrë monument kulture, as e financuan kurrë artin, nuk ka kuller në Tiranë dhe Prishtinë që nuk e kupton se me ne mund të ketë pakënaqësi, jemi larg të qenit perfekt, por diferenca mes nesh dhe atyre që të japin dru që në sekondën e parë kur nuk bie dakord me ta, është dita me natën”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë theksoi se u ka shtrirë dorën e bashkëpunimin të gjithë atyre që kundërshtojnë teatrin e ri: “Nëse duhet bashkëpunim për të bërë një rrugë, një shkollë, një çerdhe a një kopsht, duhet patjetër bashkëpunim për të bërë autostrada dhe teatër. E kam shtrirë dorën e bashkëpunimit; kemi 3-4 muaj kohë për ta detajuar, për t’u siguruar që nuk i mungon asgjë për të pasur ndoshta bizhunë më të bukur të Tiranës tonë dhe ashtu siç vijnë njerëz për të parë sheshin “Skënderbej”, Pazarin apo Kalanë, jam i sigurt se do të jenë një kontingjent njerëzish që do të vijnë në Tiranë vetëm për të parë teatrin”, u shpreh Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA