Meliahete Shala, një e re nga Gjakova e Kosovës, shpreh shqetësimin për vajzën e saj një muajshe, në studion e emisionit “Shqipëria Live”.
Meliahete thotë se shtatzënia e saj ka qenë normale, madje dhe vajza ka lindur mjaft e shëndetshme, me një peshë 3 kg e 550 gram. Mirëpo, një komplikacion në prerjen e kordonit, ka bërë që vogëlushja të kishte mungesë të oksigjenit. Mjekët, për t’u kujdesur që fëmijës mos i krijohen komplikacione, e kanë vendosur në inkubator. Gjatë kësaj kohe, vogëlushes i janë krijuar dy shenja, një në këmbë dhe një në kokë.
“Vajza ime lindi dhe ma morën mjekët dhe më thanë që vajza jote është pa oksigjen. Më thanë që është bebi shumë i lodhur dhe unë se kam parë vajzën. Më pas e kam parë vetëm prej katër metra distancë. Për dy javë rresht se kam takuar vajzën. Me tre maj më thanë që fëmija ka filluar të bëhet më mirë. Fëmija ime ka qenë në inkubator. Shtatëzania ime ka shkuar shumë mirë. Lindja ka qenë normale. 3 kg e 550 gr. Thjesht nuk e di se përse vajza është vendosur në inkubator. Në momentin që linda më kanë futur në një dhomë dhe nuk e dija ku ishte vajza, pas gjashtë orësh e kam parë vajzën. Kur e linda vajzën e kisha në gji dhe ma hoqën më pas, e dërguan në inkubator. Vajza ime e ka kokën e lënduar dhe këmbën. Unë kur ia pashë plagën mbeta pa fjalë”, u shpreh nëna e foshnjës.
Mjeku Spiro Damo, u shpreh se shenjat në këmbën dhe në kokën e vogulushes, nuk janë shqetësuese dhe sipas tij do të rikuperohen shumë shpejt. Por mjeku sugjeroi Meliaheten, t’i zhvillojë vajzës vizita të vazhdueshme tek mjeku neopediatër, deri sa vogëlushja të rikuperohet plotësisht.
“Jam njohur me rastin. 10% të rasteve kanë nevojë për ndëryrje urgjente, për t’u dhënë reanimacion primar pasi lindin. Ç’ka do të thotë në rastin konkret i përket këtij 10 %. Lindja në vetvete është një moment sa i bukur dhe i vështirë. Tek fëmija ndodhin ndryshime të vrullshme dhe të menjëhershme. Bebi e ka pasur të nevojshme për t’u futur në inkubator dhe për të marrë oksigjen. Bebi ka një lëkurë të thyeshme, është më i predispozuar për të bërë gjëra të tilla. Dua të siguroj zonjën që të mos ketë probleme të mëdha për ato shenja, nuk janë goditje, nuk janë të dëmshme për bebin. Ato do të rikuperohet dhe nuk do t’i ketë më ato gjëra. Nënës do t’i sugjeroj ndjekjen e vazhdueshme në neuropediatri për një vit të tërë”, u shpreh mjeku Spiro Damo.
Top Channel