Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me Ambasadorët e 4 vendeve të grupit të Vishegradit, të akredituar në Tiranë.
Presidenti Meta dhe Ambasadorët e Çekisë, Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë vlerësuan marrëdhëniet politike dhe bashkëpunimin miqësor dypalësh, si dhe shkëmbyen mendime rreth forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit edhe ndërmjet rajoneve V4-Ballkani Perëndimor.
Gjatë takimit u ndanë informacione për situatën e pandemisë COVID-19 në secilin vend. Presidenti i Republikës dhe Ambasadorët theksuan nevojën për një hapje graduale dhe të kujdesshme e kufijve, si dhe lehtësimin e masave shtrënguese që do t’i jepnin frymëmarrje dhe impuls ekonomisë në përgjithësi, por edhe vijimit të trendit pozitiv të viteve të fundit të fluksit të turistëve nga këto vende drejt Shqipërisë.
Presidenti Meta falenderoi për asistencën që këto vende kanë premtuar dhe dhënë vendit tonë për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.
Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu përkrahjen dhe vendosmërinë e vendeve të Vishegradit në drejtim të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe të rajonit tonë.
Duke shprehur mirënjohjen për vendimin e Këshillit Evropian të 26 marsit për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe rikonfirmimin e perspektivës evropiane për vendet tona nga Samiti i fundit i Zagrebit, Presidenti Meta theksoi se, Shqipëria duhet të mbetet e fokusuar në plotësimin në kohë të të gjithë kushteve që Këshilli ka përcaktuar për vendin tonë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.
Presidenti Meta i njohu Ambasadorët edhe me zhvillimet më të fundit politike në vend, duke shprehur shqetësimin se provokimet dhe acarimi i klimës politike nuk i shërbejnë avancimit të përspektivës evropiane të vendit.
Top Channel