Një grup aktorësh, regjisorë dhe përfaqësues të artit skenik shqiptar kanë firmosur një peticion për çështjen e debatit të të ditëve të fundit në lidhje me vendimin e shembjes së Teatrit Kombëtar. Mes firmëtarëve janë Robert Ndrenika, Luftar Paja, Viktor Zhusti, Artan Imami, Leka Bungo, Altin Basha, Arben Derhemi, Pëllumb Kulla dhe Spiro Duni.
Ata thonë se “detyrohemi sot të rimerremi me një debat të shterruar plotësisht, që nga ana jonë e konsiderojmë të mbyllur me sukses në emër të interesit kombëtar dhe të interesit të komunitetit tonë! Me anë të këtij peticioni publik, nuk duam të flasim më për nevojën e lashtë që komuniteti ynë ka për një Teatër të ri Kombëtar, modern dhe bashkëkohor, thonë ata i cili duhet të ndërtohet pa asnjë diskutim në truallin e kompleksit ekzistues, sepse ai truall ka qenë, është dhe duhet të mbetet trualli material e shpirtëror i komunitetit tonë në breza.
Me këtë peticion ata thonë se kërkojnë që politika e të gjitha anëve, Të mos na bëjë as ne, as projektin e Teatrit të ri Kombëtar, pjesë të lojës apo çorbës së saj. “Ne ju drejtohemi me kërkesën publike që të ndaloni menjëherë politizimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje! Ne duam të ndajmë me ju dhe publikun shqiptar, Bindjen tonë se kushdo që do të përpiqet më tej, ta përdorë emrin dhe skenën e Teatrit Kombëtar për teatro të natyrave të ndryshme – pa asnjë lidhje me teatrin tonë – nuk do as të mirën e kulturës shqiptare, As të mirën e Teatrit Kombëtar dhe as të mirën tonë jo dhe jo!
“Ju lutemi na mirëkuptoni, Po durimi ynë ka sosur dhe nuk përballojmë dot më as edhe një kokërr loti krokodili në mexhelis për teatrin tonë! 50 vjet në atë ndërtesë-karantinë dhe të harruar nga politika na dalin e na teprojnë! Ne dhe brezat e aktorëve e regjizorëve pas nesh meritojmë një teatër dinjitoz, që të na shërbejë jo vetëm neve, por edhe publikut teatërdashës që nuk mund të vazhdojë të ndjekë edhe për 50 vjet të tjera teatrin politik me Teatrin Kombëtar, në vend të shfaqjeve tona”, thuhet ne peticion.
Artistët thonë se kërkojmë nga ju të mos përziheni më me nevojën urgjente që ka komuniteti ynë për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar! Sepse boll dekada janë djegur duke pritur që të merreni vesh ju me njëri-tjetrin për zgjidhjen e këtij halli jetik për ne. Keni boll punë të tjera dhe më të mëdha, prandaj me konsideratën më të lartë, ne ju kërkojmë të mos kërkoni tek Teatri Kombëtar as punë dhe as masha për këtë punë!
“Kryeministri Rama le të merret me Armikun e Padukshëm, Lulzim Basha le të merret me Ramën, Presidenti Meta le të merret me Kushtetutën, ndërsa ne të mos merremi më nëpër këmbë me ose pa dashjen tuaj!”, thonë artistët në peticion, që sipas tyre historia e Teatrit Kombëtar nuk shkruhet tek dera e godinës, po në qendër të skenës! Peticioni vijon që të firmoset dhe nga artistë të tjerë.
Top Channel