Në të gjitha njësitë baret dhe restorantet në qytetin e Gjirokastrës të cilat kanë veranda u ndje që në mëngjes aksioni për të higjienizuar, për të lyer me gëlqere, por edhe për të dezinfektuar, për të vendosur distancën mes tavolinave, një masë kjo për ti paraprirë çeljes së tyre ditën e hënë më datë 18.
Një pjese të bizneseve do t’ju duhet të reduktojnë numrin e tavolinave dhe karrigeve që përdornin më parë si një masë për të respektuar distancimin social.
“Pas dy muaj e gjysmë i mbyllur lokali, detyrohemi tani ti pastrojmë nga e para. Pasi ti pastrojmë do bëhet dezinfektimi, që të jemi sipas rregullave dhe ligjeve të shtetit, maskat, dorezat, dezinfektantët që do pajiset personeli dhe do përdorim tavolinat jashtë sipas udhëzimit të qeverisë. Besoj se fluksi do ulet sepse njerëzit janë në një krizë shumë të madhe dhe ekonomike dhe shpirtërore.”
“Më e vështirë s’ka ku të vejë se s’mund të ulësh dot familjen. Nëse janë pesë vetë i pesti duhet ta marrë bukën me vete në shtëpi se s’mund të ulet dot në lokal”.
Si i keni pritur masat dhe protokollin për situatën?
“Disi e vështirë sepse me sa e di unë duhen tre dezinfektime brenda ditës. Në një orar që dikush po ha bukë si mund ta dezinfektoj unë atë, i bie që ta dezinfektoj së bashku me ushqimin.”
Prej këtij çlirimi të masave duket se përfitojnë gati 70% e bizneseve me këtë natyrë ndërsa do të vijojnë të mbeten të penalizuar 30% e bizneseve kjo sepse ata nuk kanë mjedise të jashtme verandash. Inspektoriati Shëndetësor në Gjirokastër paralajmëroi se do të mbyllë të gjitha ato biznese që nuk plotësojnë standardet minimale të sigurisë të vendosura sipas protokollit për Covid 19.
Ata njoftuan se do të jenë në terren me një grup prej 9 inspektorësh që prej ditës së sotme por masat më të rrepta do të jenë që prej hapjes së tyre javës tjetër.
Megjithëse të gjitha bizneset që do të çelen të hënën kanë dilema të shumta lidhur me masat ata janë shpresë plot se një çelje e sezonit qoftë edhe për turistët vendas do të ishte një shenjë e mirë se ka shpresë për këtë verë. /Kristina Fidhi/
Top Channel