Pandemia e Covid-19, biznesi për alkoolin po lulëzon në SHBA

14/05/2020 02:03

Biznesi për alkoolin po lulëzon në Shtetet e Bashkuara gjatë pandemisë koronavirus ndërsa amerikanët e bllokuar përpiqen të heqin mërzinë dhe ankthet në shtëpi. “Njerëzit që zakonisht blinin një shishe verë tani nuk dalin nga dera pa disa shishe, apo edhe një kuti”, thotë Davis Wills, menaxher në UnWined, një dyqan pijesh alkoolike në Aleksandria, Virxhinia, në periferi të Uashingtonit.

Shitjet në dyqanin UnWined, që tani ofron blerjet online dhe dërgesat në shtëpi, janë rritur të paktën 30 përqind gjatë muajve të fundit, pasi klientët vazhdojnë të ndjekin udhëzimet për të qëndruar në shtëpitë e tyre. “Njerëzit janë të shqetësuar për virusin”, thotë ai, “dhe meqenëse shumë prej tyre punojnë nga shtëpia në këtë zonë, është më e lehtë për ta të kenë një gotë verë më herët gjatë ditës sesa normalisht”.

“Na është dhënë më shumë liri të pimë kur të duam dhe të mos ndihemi fajtorë për këtë”, thotë klientja Sarah Robinett ndërsa po blinte verë. E pyetur nëse po pin më shumë se zakonisht, një kliente tjetër, Andrea Anderson tha: “Ndoshta pak më shumë”. Dhe kjo është problem, sipas George Koob, drejtor i Institutit Kombëtar për Abuzimin me Alkoolin dhe Alkoolizmin në Institutin Kombëtar të Shëndetit në Bethesda të Merilendit. “Megjithëse rreth 70 përqind e amerikanëve pinë,” thotë ai, konsumi i përgjithshëm është rritur ndjeshëm në të gjithë vendin”.

Për shkak se pandemia është duke shkaktuar izolim dhe ankth, Koob thotë se, “individët mund të rrisin konsumin e tyre të alkoolit për të fashitur ndjenjat negative, duke e përdorur atë si një mekanizëm përballimi.” Ai është i shqetësuar se efektet negative të konsumit të alkoolit mund të rriten mes 14.5 milion njerëzve në Shtetet e Bashkuara në një çrregullim të përdorimit të alkoolit. Julia Chester, profesore në Universitetin Purdue, studion çrregullime të përdorimit të alkoolit. Chester thotë se “pas zbutjes së pandemisë, mund të jetë e vështirë për disa njerëz që të ndalojnë këtë praktikë të pirjes së alkoolit”.

“Meqenëse alkooli është aq i rrënjosur në kulturën tonë,” thotë ajo, do të jetë e vështirë të mbyllen shpërndarësit dhe institucionet që shërbejnë pije alkoolike”. Të konsideruara si biznese “thelbësore”, dyqanet e pijeve realizojnë të ardhura të mëdha tatimore që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shumë buxheteve të qeverive lokale. Dyqanet e pijeve në 49 nga 50 shtetet e Amerikës, si dhe kryeqyteti i vendit, kanë mbetur të hapura gjatë pandemisë. Pensilvania mbylli dyqanet e pijeve alkoolike, por kur banorët filluan të udhëtojnë në shtetet pranë për të blerë alkool, autoritetet lejuan shitjen në internet. Të premten, shteti filloi t’i lejojë klientët të bëjnë blerje në disa nga dyqanet.

Disa shtete, si Merilendi po citojnë arsye financiare për të mbajtur të hapura dyqanet e shitjeve me pakicë të pijeve. Një zyrtar tha se vendimi ishte për arsye ekonomike ashtu si edhe lejimi i restoranteve që të shesin alkool përmes porosive dhe shpërndarjes. Shtetet e tjera, si Dellëuer, thonë se mbajtja e alkoolit në dispozicion është një komponent thelbësor i kujdesit shëndetësor, pasi mbyllja e dyqaneve të pijeve alkoolike mund të ketë një ndikim negativ tek njerëzit që luftojnë me abuzimin e substancave.

Koob pajtohet me këtë ide, duke shtuar se një rritje e papritur e njerëzve që vuajnë nga simptomat e alkoolizimit do të shkaktonte “një sforcim të konsiderueshëm tani në sistemin tonë mjekësor”. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi kundër normalizimit të pirjes së tepruar, duke vërejtur se “alkooli ul sistemin imunitar, dhe keqpërdorimi mund të bëjë që dikush të jetë më i prekshëm ndaj koronavirusit.” Organizata Botërore e Shëndetit rekomandon të shmangni alkoolin në tërësi pasi “konsumi mund të përkeqësojë dobësinë e shëndetit”. Për njerëzit që mendojnë se alkooli do t’i mbrojë ata nga koronavirusi, organizata ka një mesazh të thjeshtë: Nuk Është e Vërtetë!/VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA