Lindita Miloti, e datëlindjes 1962, është e bija e Xhevdet Milotit, ish-sigurims shteti në kohën e regjimit komunist. Megjithatë, edhe pse biologjikisht Xhevdeti është babai i Linditës, kjo e fundit e mohon atë.
Lindita e akuzon të atin se prej vitesh i ka dhunuar të vëllanë, Agronin, i cili humbi jetën në një aksident automobilistik.
Dhuna, sipas Linditës, ushtrohej për shkak se Agroni, nuk dëshironte të ndiqte gjurmët e babait si sigurims shteti. Pas shumë torturave, Agroni pranoi të vazhdonte shkollën për sigurims shteti, por shpesh në punë spiunohej nga i ati, i cili “krenohej” nëpër qytet që para idealit të partisë, nuk vendoste dhe të birin. Ndërkaq, Lindita thotë që nuk e ka ndierë kurrë dashurinë e babait, madje e akuzon se sistematikisht e fyente me fjalë të rënda. Lindita, mamanë e përshkruan si bashkëpunëtore të babait, pasi nga frika, bindej në çdo gjë që ai vepronte.
Po ashtu, shtoi se, mamaja i ushqente vazhdimisht me edukatën që të mos i dashuronin njerëzit, por të kishin zili ndaj tyre. “Mamaja punonte edukatore”, tregon Lindita “dhe shprehej që fëmijët e mi të vdesin, por fëmijëve në kopsht të mos i ndodhi gjë”.
“Lindita Miloti është një vajzë shkodrane e 62-it, përfundova fakultetin ekonomik në Tiranë dhe pas shumë muajsh pa punë, gjeta punë si ekonomiste në Kombinat, në “Misto Mame”. Ne ishim tre fëmijë, Agron Miloti, i cili u vra në një aksident automibilistik, një motër dhe unë. Unë erdha në këtë botë me tradhti, sepse vendosën fatin tim, dëshironin t’i shërbeja prindërve në pleqëri. Xhevdet Miloti, unë jam për fat të keq vajza e Xhevdet Milotit. Ai ishte një ish punonjës i sigurisë së shtetit, ishte njeri me shpirt të keq, të zi. Ai dëshironte të bëhej kriminel dhe gjeti punë në sigurimin e shtetit për të bërë krime. Ai s’ka qenë prind. Në këtë jetë na ka sjellë për të na shfrytëzuar. Egoizmi i tij ishte aq ekstrem, sa që ai kërkonte prej nesh shpërblime, ‘ne ta kemi ba kokën dhe ne ta marrim’, thoshte vazhdimisht. Ne duhet të bënim çdo gjë për të, sepse ne ia kishim për shpërblim atë që bënte për ne. Ai nuk na fliste kurrë dhe vetëm na kërkonte. Këto i bënte me mënyrën më ekstreme. Unë nuk kam pasur një baba. Nuk e di çfarë do të thotë fjala baba. Në këtë jetë nuk kam për ta provuar kurrë. Ai më thërriste bushtër e keqe, që në moshën tetë vjeçe dhe sa herë më shikonte më thoshte këtë. Përsa i përket vëllait tim ai kishte një trajtim shumë të keq, babai e rrihte me kamxhik, i nxirrte gjak nga goja, unë isha e vogël. Mamaja ishte bashkëpunuese e Xhevdetit, ajo kishte frikë, tmerrohej prej tij. Ajo rrinte mbrapa derës teksa Agroni kishte oraret e torturave. Unë thoja që, ‘a mund ta ndihmoj Agronin; dhe ajo më thonte që ‘dhe ti do ta kesh përfundimin si Agroni, nëse e bën këtë gjë’. Agroni dhunohej për të shkuar tek shkolla e sigurimit të shtetit. Ai e bëri atë shkollë dhe e dërguan në Korçë. Agroni ishte në ditët e para të punës. Babai e spiunonte dhe u thonte, ‘unë dal dhe kundra djalit për ti shërbyer regjimit’. Unë nuk arrija të përshkruaja sa monstruoz ishin ata. Ne i kishim frikë, mamaja na urrente sepse ajo nuk i do njerëzit dhe për më tepër ishte edukatore kopshti. Ajo na mësonte me zilinë për të tjerët. Thoshte që, fëmijët e mi të vdesin, por fëmijëve në kopsht të mos i ndodhi gjë”, rrëfen Lindita.
Top Channel