Një tezë u hodh se polici shqiptar Osmani i mbetur i vrarë, kishte shkuar që të negocionte me bashkëkombësit e tij. Kjo është diçka që do mbetet enigmë përjetë. Sot, Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj nuk jetojnë më. Edhe momenti i vrasjes së tyre është i paqartë.
Nuk dihet nëse u vranë në momentin e shkëmbimit të zjarrit kur vdiq negociatori Isamedin Osmani, pjesëtar i policisë. Fakt është që shumica e shokëve kanë deklaruar se ata ishin gjallë, madje janë arrestuar nga policia maqedonase e më pas janë ekzekutuar. Muhamet Krasniqi, është personi i fundit që i pa gjallë ata. Ai sqaron për Top Story se ka dalë për tu dorëzuar dhe pas tij në radhë do vinin Ndreca me Rizën.
“Është përfol shumë lidhje me Mirsad Ndrecën dhe Beg Rizën, ndava i fundit nga ata, listat që ka dërguar ministria jashtme këtu në ambasadën e Kosovës, në listë ka qenë edhe Mirsadi dhe Begi, e kanë zhduk atë listë”, tregon për Top Story Muhamet Krasniqi, Pjesëtarë i grupit të Kumanovës. Lista me emra për të cilën flet komandant Malisheva është ajo e dërguar nga Ministria e Jashtme Maqedonase në Ambasadën e Kosovës në Shkup me emrat e personave të arrestuar.
Dokumenti është dërguar diku në mbrëmjen e vonë të 9 majit, pasi operacioni policor kishte marrë fund dhe të gjithë pjesëtarët e grupit ishin neutralizuar. Mes të arrestuarve figuronin edhe Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj. Të nesërmen të dhënat u ndryshuan dhe ata u raportuan të vdekur. Në fakt, operacioni policor ishte mbyllur mbrëmjen e 9 majit, dhe ata kishin vdekur po atë ditë. Autoritetet maqedonase u justifikuan me faktin se informacionet ishin në përditësim e sipër dhe ishte bërë gabim me dy emrat e tyre.
Avokatët japin disa të dhëna interesante për të cilat nuk ka pasur hetime të thelluara dhe nuk është folur publikisht. Avokati Arsllani zbulon një episod tronditës për të cilin nuk është folur kurrë më parë. Bëhet fjalë për momentin e dorëzimit të një pjesëtari të grupit që kishte të njëjtin emër me komandantin, Mirsad, duke hedhur më shumë hije dyshimi rreth vdekjes së kreut të grupit.
“Është dorëzuar Mirsad Qerimi, duhet të cekim një detaj shumë interesant. Kur është dorëzuar Mirsadi, dhe e presin dy policë, pasi dorëzohen e pyesin si quhesh: Pasi u thotë Mirsad, njëri prej policëve u thotë: ky qenka dhe drejton armën. Kur e pyesin për mbiemrin, Qerimi, atëherë ul armën dhe e largon te pjesëtarët e tjerë që ishin dorëzuar”, tregon Mefail Arsllani, avokat i grupit të Kumanovës.
Avokatët e Grupit të Kumanovës dhe të gjithë të arrestuarit e tjerë, shprehen të bindur se komandantët u vranë pasi u arrestuan. Dyshimi kryesor lidhet me faktin se ata janë personat kyç që kanë pasur komunikime me faktorë politikë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Ata janë njerëzit kyç që dinë gjithë të vërtetën e Kumanovës, dhe njerëzit që i sollën në lagjen e trimave. Ata kishin informacione që mund të rrezikonin politikanë të rëndësishëm dhe të zbulonin një skenar më të madh nga çfarë dukej.
Top Channel