Që prej të martës, qytetarët e vendit tonë, tashmë për të aplikuar për pasaportë apo kartë identiteti, do të munden që ta kryejnë këtë procedurë online, nëpërmjet aplikacionit E-Albania.
Dhe kjo mënyrë është zgjedhur pikërisht në kohën e pandemisë për të shmangur radhët nëpër zyrat e aplikimit apo edhe komisariatet e policisë. Por si do të bëhet ky aplikim?
“Aplikimi për pasaportë ka thjesht dy hapa. Hapi i parë është pikërisht aplikimi online i formularit që bëhej më parë fizikisht, pra paraqitja e qytetarëve pranë komisariateve të policisë. Tashmë plotësohet online formulari dhe qytetari gjithashtu po online njoftohet sigurisht edhe për përfundimin e këtij procesi nga policia e shtetit. Për aplikimin për letërnjoftimin ID, mjafton që thjesht të klikoni në linkun që paraqitet aty për të bërë rezervimin për të bërë takimin në zyrën e aplikimit për kartë identiteti”, shprehet Rovena Voda.
Por ajo çfarë nuk do të ndryshojë, është fakti që qytetarët do të duhet që paraprakisht të pajisen me kuptonin për kartën e identiteti apo atë të pasaportës.
“Është një lloj kuponi i veçantë në fakt që konsiderohet po themi një lloj letre me vlerë, pa të cilin sigurisht nuk mund të vijosh me tej me procedurën. Pra, blihet kuponi, bëhen edhe fotot sipas formatit pra që dihet, për dokumenta zyrtare dhe ato ngarkohen online bashkë me formularin që plotëson dhe i shkojnë komisariatit përkatës”, shton më tej Voda.
Ministria e Brendshme ka menduar që kjo mënyrë aplikimi onlne, të vazhdojë si një alternativë edhe pas përfundimit të pandemisë, për të gjithë ata që duan të shmangin levizjet nëpër zyra apo që të mos humbasin kohë në radhë.
“E kemi nisur këtë me idenë që kjo lloj procedure, edhe pas ikje së kësaj pandemie të koronavirusit të vazhdojë po e njëjtë. Pra, edhe në një situatë normale, qytetarët, online, duke shfrytëzuar portalin E-Albania, të mundet të aplikojnë për letërnjoftim ID dhe për pasaporta biometrike”, thotë Voda. /Andi Bora/
Top Channel