Nëpërmjet një video-mesazhi drejtuar maturantëve që do të rikthehen në bankat e shkollës më datë 18 maj, Ministrja Besa Shahini ka përcjellë edhe disa prej rregullave kryesore që duhet të ndiqen gjatë qëndrimit në shkollë në mënyrë që të mbrohet shëndeti i secilit maturant dhe familjarëve, shokëve e mësuesve të tyre.
Rregulli i parë, sipas Ministres Shahini, është vendosja e maskës para shkollës dhe rreshtimi në distancë 1.5-2 metra nga njëri-tjetri, distancë e cila duhet të mirëmbahet gjatë gjithë qëndrimit në shkollë.
“Edhe ulja në klasat tuaja është organizuar në një distancë të tillë mes njëri-tjetrit. Nëse keni nevojë të përdorni dezinfektues gjatë qëndrimit në shkollë, keni në bankat e shkollës nga një dezinfektues që mund të përdoret gjatë ditës”, shprehet ndër të tjera ajo.
Shahini nënvizon gjithashtu se në hyrje të secilës shkollë dhe në korridoret e secilit kat janë të vendosura postera me ilustrime të thjeshta të rregullave kryesore që duhet të ndiqen nga maturantët gjatë qëndrimit në shkollë.
Në lidhje me këtë, ajo shprehet se “para tualeteve të shkollës janë vendosur postera me hapat që duhet të ndiqen për një larje të thellë dhe të mirë të duarve”./SHQIP/
Top Channel