Vetëm pak ditë më parë, Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit ka marrë kompetencat për kontrollin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Menjëherë pas këtij vendimi, inspektorët e IKMT-së kanë nisur kontrollet në njësi territoriale të bashkive të ndryshme.
Përgjatë këtyre kontrolleve janë konstatuar hedhje të mbetjeve urbane në territorin e bashkisë Rrogozhinë, në fshatin Zall, pranë bregut të lumit Shkumbin. Për pastrimin e qytetit të Rrogozhinës është kontraktuar firma “Viola-Green SHPK”. Pikërisht ky subjekt, u konstatua se mbetjet i depozitonte në lumin Shkumbin.
IKMT mori masë administrative, gjobë, si dhe njoftoi bashkinë Rrogozhinë për ndërprerjen e depozitimit të mbetjeve dhe rehabilitimin mjedisor të zonës.
Nisur nga ky rast, IKMT u bën thirrje gjithë bashkive të vlerësojnë si prioritet mbrojtjen e mjedisit përgjatë kryerjes së punëve publike.
Veç masave administrative, Policia e Shtetit do të ndërmarrë hetim penal për këtë rast, si dhe në çdo rast tjetër që lidhet me krimet mjedisore.
IKMT në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të intensifikojë inspektimet në terren, në çdo bashki apo njësi vendore, duke shoqëruar me masa të ashpra çdo shkelje të konstatuar. IKMT dhe Policia e Shtetit fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë raste të abuzimit me mjedisin, duke telefonuar falas në 112 apo në aplikacionin Komisariati Dixhital.
Top Channel