Shtëpia e familjes Dardha nga Ndroqi ishte një ndër banesat që pësoi dëmtime të pariparueshme pas tërmetit të 21 shtatorit. Të pestë anëtarët e saj mbetën jashtë, në çadrën e siguruar nga Bashkia e Tiranës, duke marrë premtimin se shtëpia e tyre do të rindërtohej së shpejti. Në fakt, sot nënë Sanija mori në duar çelësat e shtëpisë së re dykatëshe, shumë herë më të sigurt dhe të mobiluar nga e para.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Kryetari e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, tha se është gati nisja e fazës së dytë për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. “Ishim këtu pak ditë pas tërmetit të shtatorit, për të parë në terren sesa ishin dëmtuar shtëpitë. Ka qenë një ditë e zymtë, por sot jemi në një ditë krejt tjetër. Falë shokëve si Nikolini dhe miqve që iu bashkuan atij në adoptimin e kësaj shtëpie, kemi sot një vilë të re dykatëshe. Me këtë shtëpi kemi kryer pothuajse të gjitha shtëpitë e tërmetit të shtatorit dhe jemi gati për fazën e dytë, të cilën po e drejton Kryeministri, për të bërë jo 50, por 15-fishin e këtyre shtëpive”, u shpreh Veliaj.
Ai siguroi se ashtu sikurse u ndërtuan të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti i shtatorit, do të përfundojë edhe rindërtimi i më shumë se 800 banesave të reja të prekura nga tërmeti i dytë. “Kemi nevojë për pak durim. Kush dyshon nëse do t’i shkojmë deri në fund kësaj historie, mjafton të shohë si ishte kjo shtëpi, si u bë dhe si e mbajmë fjalën”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se një minorancë e zhurmshme nuk mund të mbajë peng çdo projekt për qytetin, ndaj ashtu si shtëpitë e reja, kopshtet, shkollat, Unaza e Re, qyteti do të ketë edhe një Teatër të ri. “Në shtëpitë e vjetra, që u rrënuan, kishim nostalgji, kujtime, histori. Megjithatë, vjen një moment ku shtëpia e vjetër nuk mban më ose prej amortizimit, ose prej tërmetit. Lind nevoja për t’i thënë lamtumirë një projekti 100-vjeçar dhe për t’i thënë mirë se erdhe një projekti të ri, që do jetë për 100 apo 200 vitet e ardhshme. Por, kemi shtëpi të re, çerdhe, kopshte, shkolla, parqe, shesh, Pazar, Kala, Unazë të re, do të kemi edhe një Teatër të ri. I gjithë qyteti po transformohet dhe rinovohet; po bëjmë kaq shumë projekte të reja saqë është dekurajuese kur ke një minorancë që bën zhurmë dhe bllokon çdo projekt. Gjithsesi, do ecim përpara”, tha Veliaj.
Ai deklaroi se 100-vjetori i Tiranës Kryeqytet do të mbahet mend jo vetëm për projektin e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti, por edhe për nisjen e shumë projekteve që kanë vite që mbahen peng. “Mezi pres që në këtë 100-vjetor të Tiranës, të fillojmë jo vetëm ndërtimin e të gjitha shtëpive të reja, por edhe projektet që kanë vite që mbahen peng, të marrin udhë, që të mbahemi mend për mirë”, u shpreh Veliaj.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për ndihmën e dhënë ndaj qytetarëve, si dhe uroi për sa më shumë gjëra të bukura dhe të reja në kryeqytet. “Dy janë gjërat që unë do të doja të vlerësoja maksimalisht: E para, është energjia dhe mënyra sesi Kryetari u vjen në ndihmë të gjithë banorëve të Tiranës; e dyta, kam një falenderim të veçantë për të gjithë sipërmarrësit që iu bashkuan nismës së kryetarit. Jam i bindur se sipërmarrja e ka brenda vetes dimensionin njerëzor dhe ka filluar ta zhvillojë atë. Urojmë kryetarin që të kemi sa më shumë gjëra të bukura dhe të reja në Tiranë, në mënyrë që mentaliteti të ndryshohet me procesin e zhvillimeve të reja dhe të ecim në rrugën e integrimit dhe në rrugën e asaj çfarë ne kemi objektiv, Bashkimin Europian”, theksoi Jaka.
Banesa e familjes Dardha në Ndroq u rindërtua falë kontributit të Shoqërisë “Alessio 2014”, e cila iu përgjigj menjëherë thirrjes së kryebashkiakut Veliaj drejtuar bizneseve për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti i shtatorit.
Top Channel