Meta takim me Ambasadorin Soreca: Shqipëria, një vend kandidat i BE, thirrje të gjithë aktorëve të përmbushin detyrimet e tyre!

09/05/2020 14:17

Presidenti i vendit, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë Luigi Soreca, në ditën e sotme, që është Dita e Europës.

“Shqipëria është sot një vend kandidat i Bashkimit Europian, që gëzon përkrahjen më masive e të palëkundur të qytetarëve në procesin e saj të integrimit”, shkruan Meta në postimin e tij, duke shtuar se duhet të zbatohen të gjitha kushtet për nisjen e negociatave.

Presidenti shpreh përkushtim në përgjegjësitë si President dhe u bën thirrje të gjithë ‘aktorëve’ të përmbushin detyrimet e tyre për një përparim të besueshëm e të qëndrueshëm në secilin prej 15 kushteve.

Postimi i plotë:

“Kënaqësi të takohesha sot në Ditën e Europës me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, zotin Luigi Soreca.

70-vjet pas Deklaratës së Shumanit Bashkimi Europian mbetet projekti më frymëzues. Fuqia e tij buron nga vlerat themelore të lirisë, demokracisë dhe solidaritetit.

Shqipëria është sot një vend kandidat i Bashkimit Europian, që gëzon përkrahjen më masive e të palëkundur të qytetarëve në procesin e saj të integrimit.

Nuk duhet humbur asnjë minutë për të zbatuar me shpejtësi të gjitha kushtet për nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit, duke u përqendruar tek ndërtimi i një demokracie funksionale dhe sundimi i ligjit, sikundër theksoi dhe deklarata e Zagrebit.

Jam plotësisht i përkushtuar për të marrë përgjegjësitë e mia në këtë proces si President i Republikës, dhe u bëj thirrje të gjithë aktorëve të përmbushin detyrimet e tyre për një përparim të besueshëm e të qëndrueshëm në secilin prej 15 kushteve.
Për Shqipërinë Europiane!

Sëbashku më të fortë! ?????”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA