Disa ditë më parë, deklaronte se do të “thithte ajrin e Covid 19”, sepse kishte zbuluar anti-trupa në gjakun e saj dhe tani, Madonna e konfirmoi se ka qenë e sëmurë me koronavirus gjatë turnet të vet botëror Madame X, i cili u pllakos nga disa anulime për shkak të dëmtimeve që pësoi në gju.
Turneu përfundoi tre ditë para datës së planifikuar të fundit, pasi qeveria franceze njoftoi ndalimin e grumbullimit të më shumë se 1.000 personave për të frenuar përhapjen e COVID-19. Pasi rrëfeu në fillim të majit se kishte rezultuar pozitive në testin serologjik, Material Girl përdori Instagramin për të shpjeguar se aktualisht nuk është e sëmurë. “Kur rezulton pozitiv në testin e antitrupave, kjo do të thotë se e ka kaluar sëmundjen përpara.
Dhe unë isha shumë keq në fund të turneut tim në Paris 7 javë më pare”, tha ajo. Këngëtarja e famshme shtoi se edhe artistë e kërcimtarë të tjerë të trupës së saj ishin sëmurur gjithashtu. “Të gjithë menduam se po kalonim një grip shumë të keq”, shtoi ylli i popit. Madonna rrëfeu se po ndihmon të mblidhen para për gjetjen e një vaksine kundër sëmundjes që ka pushtuar botën, ndërsa u shpreh se “ është mirënjohëse që mund të bëhet pjesë e mbështetjes për hulumtimet mbi gjetjen e një kure për Covid 19”.
Top Channel