Italia, vendi i parë në botë që urdhëroi një karantinë në shkallë kombëtare, ka filluar zbutjen e disa kufizimeve.
Dhe tani, pas më shumë se dy muajsh izolim të detyrueshëm, italianët po lejohen të rifillojnë disa aktivitete. Ata do të mund të lëvizin më lirshëm brenda rajoneve të tyre, të vizitojnë të afërmit, të shëtisin në parqet e hapura dhe të marrin ushqime nga restorantet. Rreth 4.4 milionë njerëz i janë drejtuar këtë mëngjes vendeve të tyre të punës. Aktualisht ka 210717 raste të konfirmuara dhe 28884 viktima në Itali, vendin që për një kohë, ishte i godituri më rëndë në Evropë.
Tani, në të gjithë vendin, kantieret e ndërtimit dhe operacionet e prodhimit në fabrika do të rinisin, dhe restorantet apo dyqanet e akulloreve, do të hapin dyert, por për të dhënë porosi. Shërbimi ulur në bare dhe restorante si edhe hapja e dyqaneve komerciale dhe parukerive, do të shtyhet edhe për disa javë dhe do të jetë në varësi të implementimit të rregullave të distancimit social dhe atyre higjenike.
Italianëve u është kërkuar të mbajnë maska në hapsira të mbyllura dhe në transportin publik. Po ashtu, familjarët do të mund të marrin pjesë në funeralet e rreth 29 mijë viktimave në Itali, por numri do të jetë i kufizuar, deri në 15 persona dhe nuk është thënë akoma asnjë fjalë se kur do të rifillojnë meshat nëpër kisha. Atletët profesionistë lejohen t’i kthehen stërvitjeve dhe parqet kanë hapur dyert për vrapuesit, prindërit dhe fëmijët, edhe pse këndet e lojrave janë ende të mbyllur.
Zyrtarët janë të vetëdijshëm se rifillimi i aktivitetit ekonomik do të cojë në një rritje të infeksioneve dhe rihapja graduale po shoqërohet me masa për gjurmimin e infeksioneve, ndërhyrjen e shpejtë për të izoluar vatra të reja dhe për të garantuar që sistemi shëndetësor nuk do të vihet sërish në vështirësi. Pra synohet lejimi gradual i aktivitetit ekonomik duke mbajtur pandeminë nën kontroll.
Top Channel