Sot më 1 Maj, kryesia e Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor kërkon nga strukturat drejtuese, përmirësimin e kushteve të punës së personelit shëndetësor që janë në frontin e parë të luftës ndaj COVID-19, uljen e orëve ditore të punës me qëllim uljen e ekspozimit me këtë virus dhe dhënien e mundësisë së testimit në mënyrë periodike.
Po kështu në mesin e kërkesave të tyre renditen edhe rishikimi i trajtimit financiar, si dhe pajisja me mjete mbrojtëse e gjithë punonjesve te sistemit shëndetësor në nivele të ndryshme.
Lexoni më poshtë deklaratën e plotë:
Për ditën e 1 Majit Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor përshëndet gjithë anëtarët e saj duke i kujtuar që është një ditë solidarizimi jo vetëm me njëri tjetrin por me të gjithë armatën e punonjësve të këtij sektori, të cilët sot në këtë periudhë të vështirë që po kalon rruzulli për shkak të COVID-19, janë në frontin më të vështirë duke rrezikuar jetët e tyre për t’i shërbyer të gjithë atyre që gjenden në nevojë.
Njëkohësisht kjo sindikatë sjell në vëmendje të anëtarëve të saj kujdesin maksimal që duhet të kenë ata në mbrojtje të jetëve dhe të familjeve të tyre, duke përdorur masa mbrojtëse dhe duke mbajtur distancë vecanërisht në vende ku dyshimi për ekspozim të mundshëm ndaj SARS CoV 2 është i madh.
Kjo sindikatë kërkon nga strukturat drejtuese, përmirësimin e kushteve të punës së personelit shëndetësor që janë në frontin e parë të luftës ndaj COVID-19, uljen e orëve ditore të punës me qëllim uljen e ekspozimit me këtë virus dhe dhënien e mundësisë së testimit në mënyrë periodike.
Punonjësit të cilët rezultojnë me shfaqje akute të sëmundjes të marrin trajtim të vecantë sikurse ndodh në rastet e aksidenteve në punë.
Të merren masa që i gjithë sistemi shëndetësor në nivele të ndryshme të tij dhe jo vetëm në spitalet terciare, të pajiset me mjete dhe masa mbrojtëse për të bërë të mundur dhënien e shërbimit profesional në mënyrën e kërkuar bashkëkohore. Të rishikohet trajtimi financiar i këtij sektori si një nga sektorët që duhet të vlerësohet për volumin e punës, dhe rrezikshmërinë që ai po paraqet sot dhe në të ardhmen.
Top Channel