Sëmundja enigmatike/ Raste në Itali, Spanjë, Francë dhe Zvicër

30/04/2020 01:26

Studiuesit britanikë dhe italianë po shqyrtojnë nëse ekziston një lidhje midis një sëmundjeje inflamatore, e cila prek rëndë fëmijët, dhe COVID-19. Mjekët në Italinë e veriut kanë raportuar raste të shumta të fëmijëve me simptoma të ngjashme me sëmundjen Kawasaki, e cila shkakton inflamacion të enëve të gjakut tek fëmijët.

Këto simptoma janë vënë re edhe në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe në Spanjë, Zvicër dhe Francë. Deri më tani mendohej se fëmijët ishin shumë më pak të rrezikuar sesa të rriturit nga koronavirusi i ri. Por, sëmundja misterioze inflamatore e parë në Britani, Spanjë dhe Itali mund të kërkojë një rivlerësim të situatës.

Në Itali, kreu i pediatrisë në Institutin “Giannina Gaslini” u ka dërguar një paralajmërim 10 mijë kolegëve të tij, duke i informuar për shqetësimin e shtimit të këtyre simptomave. Më herët të njëjtën gjë bënë edhe mjekët në Britaninë e Madhe. Sipas ministrit britanik të Shëndetësisë , asnjë fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar nuk dihet të ketë vdekur nga kjo sëmundje.

Por, edhe Franca ka dhjetëra raste të fëmijëve me inflamacion, konfirmoi ministri i shëndetësisë Olivier Veran, pasi alarmi u lëshua në vendet e tjera. Edhe ai nënvizon se nuk ka prova të mjaftueshme për të konfirmuar një lidhje me koronavirusin, por Franca po i merr rastet shumë seriozisht.

“Që nga mesi i prillit rreth 15 fëmijë në Francë janë prekur nga diçka që i ngjan sëmundjes Kavasaki, një sëmundje inflamatore që mund të shkaktohet ndoshta aksidentalisht, nga infektime virale apo bakteriale, që mund të jetë edhe efekt anësor i sëmundjes. Ne po e marrim shumë seriozisht situatën kjo është kohë për kërkime klinike dhe shkencore. Pediatrët dhe mjekët e kujdesit intensiv në Evropë, po punojnë bashkë për të zbardhur panoramën”- tha Oliver Veran.

Shkaku i sëmundjes Kawasaki është i panjohur. Në raste të rënda shkakton inflamacion të arterieve të zemrës. Ajo gjithashtu shoqërohet me ethe, skuqje të lëkurës dhe fryrje të gjendrave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA