“Deti kos, liqeni pilaf”/ Përplasje Murrizi-Spiropali: Mashtrim total, qytetarët nuk kanë përfituar ndihma

30/04/2020 11:27

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti i opozitës së re, Myslim Murrizi u shpreh se në këtë kohë të vështirë qeveria ka gjetur mundësi që të miratojë ligje që nuk i shërbejnë situatës së pandemisë, teksa deklaroi se qeveria ka marrë 9.1 milionë euro kredi për të stimuluar numrin e femrave në biznese.

Më tej, Murrizi u ndal në një tjetër pikë, atë të shifrave që kryeministri ka nxjerrë në rrjetet sociale sa i përket familjeve të ndihmuara në të gjithë Shqipërinë.

“Më habit numri llahtar i familjeve të ndihmuara për qarqe të ndryshme. Çfarë ju pengon të bëni publike emrat e familjeve? Është një mashtrim total, sepse qytetarët nuk kanë përfituar, siç thonë ju. Në Fier, sipas Ramës, kanë marrë ndihmë mbi 10 mijë familje. Po sa është shuma që kanë marrë, bëhet fjalë për qese apo për para? Ju thoni se keni ndihmuar në Gjirokastër 26 mijë familje, por i bie që të dalin tepër 6 mijë familje, sepse janë vetëm 20 mijë familje, dhe po e marrim të mirëqenë që janë ndihmuar të gjitha”, u shpreh deputeti.

Pas kritikave të deputetit Myslim Murrizi për ndihmat, ka reaguar ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila sulmoi Lulzim Bashën lidhur po me këtë cështje.

“Zoti Basha ka adaptuar stilin e zotit Murrizi, por këtij i shkon se nuk ka pasur ndonjëherë në dorë tendera, është i pastër dhe mund të flasë.  Por Basha ka dëshmuar se në cdo punë që ka bërë e ka çuar për dreq dhe kur ka shkuar në gjyq nuk është përgjigjur i është shmangur me raport mjekësor. Në kohën e tyre deti ishte kos dhe liqeni ishte pilaf. Dëshirat e brendshme i reflektojnë së jashtmi tani”, tha ajo.

Pas saj reagoi sërish Murrizi:

“Mos u tallni nëse e keni seriozisht merrni letrat për Bashën dhe çojini në SPAK”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA