Në Gjirokastër shërbimi taksi është aktiv që prej 3 ditësh që kur qarku i Gjirokastrës u shpall një zonë e gjelbër megjithatë taksistët flasin për xhiro ditore minimale pasi klientët nuk janë më të njëjtët madje edhe shërbimet janë transformuar tërësisht.
Intervista me një prej taksistëve në Gjirokastër:
Ijiaz si ishte dita sot? Sa shkoi xhiroja deri tani?
Përshëndetje, xhiroja normalisht këto ditë nuk diskutohet që ka rënë dhe nuk mund ta krahasosh me asnjë ditë nga ditët e zakonshme, është një rënie maksimale. Njerëzit s’dalin kështu që kë do transportojmë.
A kanë ndryshuar shërbimet?
Sipas situatës edhe ne mundohemi të përshtatemi, d.m.th. kemi shërbime, mbush bombolën e gazit, apo shërbime si ky: para një ore, mamaja e një shokut tim duhet merrte lekë që ishin dërguar në emrin tim. Vajta i tërhoqa ja çova në shtëpi kundrejt një tarife 200 lekë se normalisht çfarë do ti marrësh.
A ju ka penalizuar fakti që duhet të transportoni vetëm një person? Çfarë ndodh kur keni dy bashkëshortë?
Kjo është pak amulli këtu se nuk kuptohet. A nuk thanë që një familje mund të qarkullojë bashkë? Si mund ti them unë? Ik ti të vijë një njeri.
Çfarë probleme të tjera dolën më pah tani me këtë situatë?
E para është ana financiare, nuk ka lëvizje nuk ka lekë. Me se do ti paguajmë ne taksat se ne na erdhën taksat e bashkisë? Realisht erdhi siguracioni dhe mua siguracioni dy muaj më iku, do më iki dhe i treti. Më iku kontrolli teknik më ikën taksat në park.Unë do vete të paguaj këto të gjitha se kanë mbaruar. Punë nuk ka kështu që do paguaj nga xhepi.
A ja vlen që të punoni vetëm brenda bashkisë siç është rregulli?
Shërbimi urban dhe transporti ndërqytetës është i anuluar dhe ne mund të kishim mundësi që të bënim një rrugë. Sot na erdhi një thirrje për të mos dalë jashtë qytetit. Ku do vete unë? Ja mua më kërkon një klient nga Libohova. Nesër realisht kam një rrugë për në Tepelenë dhe është vëlla dhe motër.Tani këtë se kuptoj, urban s’ka, autobus s’ka, furgona s’ka. Me kë do lëviz unë në Gjirokastër. Njerëzit janë brenda punë nuk ka, i bie të marr lekë nga bombola e gazit”.
Vetëm në bashkinë e Gjirokastrës janë të paktën 30 taksi të licensuara. Përveç vështirësive që ata po hasin me rregulloren e cila i kufizon në shumë drejtimi ato thonë se kanë shumë detyrime të mbartura, sidomos për taksat, për siguracionet, për kolaudimet dhe për të gjitha procedurat që një taksi ka detyrime vjetore për të kryer.
Top Channel