Rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të bjerë në recesion në vitin 2020, ku të gjashtë vendet parashikojnë normë negative të rritjes ekonomike teksa vijojnë përpjekjet për të trajtuar efektet ekonomike të pandemisë së COVID-19.
Ky është konkluzioni një raporti të Bankës Botërore prezantuar ne mënyre digitale paraditen e kësaj të mërkure.
Raporti ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor fokusohet në ndikim makroekonomik të pandemisë COVID 19 në këto vende.
Në raport bëhet ky parashikim përsa i përket Shqipërisë.
Dy goditje të njëpasnjëshme me pasoja shkatërruese: tërmeti i Nëntorit 2019 dhe pandemia COVID-19 kane ngrirë një pjesë të madhe të ekonomisë. Nëse shumica e aktiviteteve ekonomike mund të rinisin në fillim të verës, rritja vjetore e PBB-së pritet të tkurret me 5 përqind për vitin 2020.
Raporti i Bankës Botërore, ka edhe disa sugjerime për qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një seri masash për të mbështetur ekonominë dhe zbutur pasojat e saj në jetën e njerëzve. Një zbatim i shpejtë dhe i mirë-menduar do të rriste efektivitetin e këtyre masave. Pasi të tejkalohet kriza, normalizimi i aktivitetit ekonomik dhe procesi i rindërtimit për zbutjen e pasojave të tërmetit pritet të mbështesin një rritje të shpejtë.
Në raport theksohet se qeverisë shqiptare në planin afatmesëm i nevojitet vazhdimi i reformave strukturore.
Top Channel