Top Story, në këtë kohë ku gjithë bota po përjeton covid 19, sjell pamje të një grupi epidemiologësh që po përgatiten për të shkuar në terren.
Kuptohet që edhe për këta mjekë testimet e para janë shoqëruar me ndjenjën e ankthit dhe të frikës nga e panjohura.
Ermelinda Murati ka më shumë se 20 vjet që punon si mjeke epidemiologe e megjithatëhera e parë e testimit që ka bërë te pacientët e dyshuar për covid është shoqëruar me frikë për atë se çfarë e priste në terren.
“Mbaj mend që rastin e parë që e mora si njoftim kisha atë ankthin e çfarë do më priste. Pritshmëria për mua ishte diçka e panjohur se kur e njeh diçka ke një pritshmëri ndryshe. Ama rastin e parë që mora ishte një çift që kishte një histori udhëtimi dhe sipas protokolleve që kishin linçuar OBSH dhe ISHP, shkuam dhe ndoqëm ato hapa. Përjetimi ishte një çik le të themi i frikshëm për këtë të panjohur”, – tregon Ermelinda Murati, mjeke terreni.
Epidemilologët e terrenit bëjnë testime në çdo orë të ditës, madje kur ka raste urgjence edhe në çdo orë të natës. Pasi marrin njoftimet nga 127 apo nga mjekët e familjes për vatra të e mundshme të infektimit, nisen në terren.
“Veshjet janë një përdorshme që do të thotë se çdo vatër ka veshjen dhe setin e vetë profesional të mbrojtjes. Kështu që në çdo vatër ne kemi nga një veshje të re”, – tregon Ermelinda Murati, mjeke terreni.
Ermelindës i është dashur që të distancohet nga fëmijët e saj. Fakti që ajo është mjeke terreni dhe çdo ditë zbulon raste të reja pozitive ndaj virusit, mund të përbëj rrezik për familjen e saj. Kështu që ajo si dhe të gjithë kolegët e tjerë janë distancuar nga familjet e tyre.
“ Jam shumë e lidhur me ta saqë im bir është një çik më i përkëdhelur me mua. Në momentet që ai donte të më përqafonte i thosha: Stop, më qëndro larg, të lutem! Më mungon shumë përqafimi i vajzës i djalit por do vij një ditë që unë do i përqafoj shumë fort për të gjitha ditët që ju ka munguar përqafimi im”, – tregon Ermelinda Murati, mjeke terreni.
Top Channel