Në provincën kineze Hubei, në të cilën bën pjesë edhe qyteti Wuhan, prej ku buroi pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), nuk ka mbetur asnjë pacient që të trajtohet nga virusi.
Në njoftimin e bërë nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë, në provincën ku për herë të parë në dhjetor të vitit të kaluar është shfaqur virusi, nuk ka raste të reja të konfirmuara dhe vdekje, ndërsa 12 pacientë të dielën janë liruar nga spitali.
Ndërkohë 582 persona mbahen nën kontroll mjekësor, të cilët pavarësisht testit pozitiv ndaj COVID-19, nuk tregojnë simptoma. Që nga fillimi i pandemisë, në provincën Hubei janë konfirmuar 68.128 raste, prej të cilëve 50.333 në qytetin Wuhan. Në Wuhan humbën jetën 3.869 persona nga virusi, ndërsa në mbarë provincën 4.512.
Në provincë u shëruan 63.616 persona.
Nga ana tjetër, në Kinën kontinentale në 24 orët e fundit janë konfirmuar 6 raste, prej të cilëve 3 janë me burim prej jashtë vendit. Në periudhën në fjalë nuk kishte asnjë vdekje. Në Kinë deri më tani janë konfirmuar 82.836 raste, ndërsa kanë humbur jetën 4.633 persona./AA
Top Channel