Duke vënë në dukje se disa vende evropiane po përgatiten të lehtësojnë kufizimet për të ndalur përhapjen e koronavirusit, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të hënën u bëri thirrje vendeve që “të vazhdojnë të gjejnë, izolojnë, testojnë dhe trajtojnë të gjitha rastet”.
Duke folur në konferencën e tij të rregullt me gazetarët në Gjenevë, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se rënia e numrit të rasteve të reja të koronavirusit sigurisht që është një shenjë e mirë. Megjithatë, ai paralajmëroi se pandemia nuk ka mbaruar. Zoti Ghebreyesus vuri në dukje prirjet në rritje të rasteve me koronavirus në Evropën Lindore, Afrikë, Amerikën Latine dhe në disa pjesë të Azisë.
Drejtori i OBSH-së gjithashtu shprehu shqetësim se disa nga përpjekjet për të ndalur përhapjen e COVID-19, siç janë mbyllja e kufijve, kanë rezultuar në mungesa të vaksinave dhe trajtimeve për sëmundje të tjera, dhe shërbimet rutinore të imunizimit për sëmundjet si gripi po pakësohen ose mbyllen.
Zoti Ghebreyesus bëri thirrje për solidaritet në të gjithë botën për të ndalur përhapjen e koronavirusit. Ai tha se nëse njerëzit nuk janë të bashkuar, virusi do të shfrytëzojë përçarjet midis individëve dhe do të vazhdojë të krijojë probleme të mëdha, duke çuar në rritjen e numrit të viktimave. Ai tha se çdo jetë është e çmuar.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins numri i raportuar i të infektuarve me Covid-19 në në të gjithë botën ka arritur në mbi 3 milionë. Numri real i infeksioneve mendohet të jetë shumë më i lartë sepse shumë njerëz nuk janë testuar, dhe studimet sugjerojnë se njerëzit mund të infektohen pa treguar simptoma të sëmundjes.
Top Channel