Qeveria gjermane pohoi se ka pasur përpjekje nga ana e Kinës për të ushtruar ndikim tek funksionarët gjermanë. Ata duhej të bënin deklarata pozitive në publik për vendin komunist. Fillimisht këtë çështje e kishte raportuar gazeta gjermane “Welt am Sonntag”.
Por pas një kërkese të deputetes së gjelbër gjermane, Margarete Bause, ekzekutivi gjerman konfirmoi në përgjigjen e tij se diplomatë kinezë kishin marrë kontakt me zyrtarë federalë gjermanë, me qëllimin që Berlini të bënte vlerësime pozitive publikisht mbi Republikën Popullore për menaxhimin e krizës së Covid-19.
Por nëpunësit gjermanë “nuk i janë përgjigjur” kësaj kërkese, shkruan Ministria e Punëve të Brendshme për deputeten Bause. Qeveria gjermane i ka vlerësuar përpjekjet e Kinës për zbutjen e pandemisë edhe pa lutjet e Pekinit, thuhet në njoftim. Por sipas qëndrimit të Berlinit, transparenca është mjaft e rëndësishme për luftimin e suksesshëm të pandemisë.
Kjo i është “bërë e qartë” edhe Kinës, theksohet në përgjigjen e dhënë ligjvënëses gjermane. Përveç kësaj synohet të rritet sensibiliteti për ndikime nga jashtë. Ambasada kineze në Berlin i ka hedhur poshtë raportimet, sipas të cilave, Kina është përpjekur të ushtrojë ndikim ndaj zyrtarëve gjermanë.
Ndërkohë Bause, zëdhënëse e Të Gjelbërve për të drejtat e njeriut, e kritikoi ashpër përgjigjen e Ministrisë Federale të Punëve të Brendshme, duke thënë për “Welt am Sonntag” se kjo letër tregon edhe “njëherë e më shumë, se qeveria gjermane nuk ngre zërin kundrejt Kinës”, megjithëse Shërbimi i Jashtëm i BE e rendit Kinën ndër vendet “me fushata dezinformimi dhe teori konspirative në drejtim të koronavirusit”.
Top Channel