Një fshat në shtetin jugor të Kerala-s në Indi, po shpërndan 10,000 çadra për banorët, për t’i nxitur ata që në këtë mënyrë të mbajnë distancën sociale të nevojshme.
“Shpresojmë se ‘retë’ e Covid-19 mund të largohen shpejt, por gjatë verës dhe ditëve të ardhshme të shiut, le të respektojmë distancimin social, duke hapur çadrat. Ideja është të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit me çadra të hapura, për të mbajtur distancë, prej së paku një metër”, u shpreh Ps Jyothi, presidenti i këshillit në fshatin Thannermukkom.
Sakaq, së bashku me çadrat qytetarëve do t’i shpërndahen dhe maska mbrojtëse. Jyouthi, konfirmoi se grupe grash, në lagje të ndryshme të fshatit, do të qepin 100,000 maska mbrojtëse nën iniciativën e Kudumbashree në Kerala.
Kerala është ndër të parët shtete në Indi që raportoi raste të personave të prekur me koronavirus. Deri më tani në Kerala janë raportuar 458 persona të infektuar me virusin, ndërsa katër persona kanë humbur jetën.
Top Channel