Deputetja e VV: Nuk i takon askujt të na tregojë se a duhet të ketë amnisti për krimet e serbëve

26/04/2020 20:41

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka reaguar ndaj deklarimeve se a duhet të ketë amnisti për krimet që janë kryer ndaj familjarëve tanë nga pushteti serb.

Ajo përmes një postimi në Facebook thotë se nuk e kupton se si individë e grupe të caktuara, duke iu referuar gazetarit Baton Haxhiu, marrin të drejtën të flasin në emër të qytetarëve të prekur nga lufta në Kosovë kanë pasur përkrahjen e shtetit.

“Nuk i takon as Baton Haxhiut të na tregojë se a duhet të ketë amnisti për krimet që janë kryer ndaj familjarëve tanë nga pushteti serb. Edhe po të kalojnë 100 vite ne dhe brezat pas neve nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ato krime. Nuk i japim të drejtë askujt të vendos në emrin tonë”, ka shkruar Bogujevci.

Postimi i plotë:

Isha vetëm 13-vjeç kur kam humbur familjen dhe jam plagosur si fëmijë, për këtë shtet! Sot, gati si 35-vjeçare ende jetoj me pasojat e asaj kohe. Ende më duhet përkujdesje mjekësore për plagët që i kam marrë në trup, e kujtesa e asaj kohe jeton me mua për çdo ditë.

Kështu jeton çdo qytetar i Republikës së Kosovës që ka përjetuar atë luftë.

Sot kemi shtetin se kemi dhënë shumë për të, secili person e familje, në një formë apo tjetër.

Para disa javësh vajza e Nekibe Kelmendit tha se “unë nuk e fal gjakun e familjarëve të mi”, as unë dhe familja ime nuk e falim gjakun e familjarëve tanë dhe ju garantoj që as edhe një familje nuk e fal gjakun e familjarëve të vet pa sjellë para drejtësisë fajtorët e atyre krimeve.

Nuk arrijë ta kuptoj se si individ e grupe të caktuara marrin të drejtën të flasin në emrin tonë se a dëshirojmë drejtësi e pajtim.

Nuk e ka atë të drejtë ekskluzive askush të flas në emrin tonë pa e thënë ne fjalën e fundit për këtë çështje. Nuk i takon as Baton Haxhiut të na tregoj se a duhet të ketë amnisti për krimet që janë kryer ndaj familjarëve tanë nga pushteti serb. Edhe po të kalojnë 100 vite ne dhe brezat pas neve nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ato krime. Nuk i japim të drejtë askujt të vendos në emrin tonë.

Fatkeqësisht, gjerë tani nuk është se këto familje e këta qytetarë të prekur nga lufta në Kosovë kanë pasur përkrahjen e shtetit. Por, për një gjë të jeni të bindur të gjithë se edhe pa asnjë përkrahje nga institucionet tona ne nuk do të ndalemi se kërkuari drejtësi për familjarët tanë të humbur e edhe për ne të mbijetuarit e asaj lufte.

Është e drejtë e jona, e askujt tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA