Qytetarët e Mitrovicës janë shqetësuar tej mase me sjelljen e një eprori policor gjatë arrestimit të një të riu që po ngiste biçikletën.
Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 16:40 afër objektit të komunës në Mitrovicë.
Njëri prej dëshmitarëve që kishte parë ngjarjen nga afër, i cili foli në kushte anonimiteti, ka bërë të ditur për KosovaPress, se eprori i policisë e ka grushtuar të riun dy herë në kokë në qendër të qytetit dhe në prani të qytetarëve.
“Turp çka pamë sot. Nuk e di çka ka bërë ai djali, por ne ta çojnë në polici, e jo me rah me duar të lidhura midis qytetit dhe në prani të qytetarëve. Vërtetë kjo s’ka kuptim prej pjesëtarëve të policisë, aq më tepër kur të dy policët janë me grada të larta”, ka thënë ky dëshmitar.
Gazetari i KosovaPress-it pasi ka arritur tek vendi dhe ka kuptuar nga disa qytetarë okularë ngjarjen, i është afruar kapitenit të policisë duke e pyetur se çfarë ka bërë ky qytetar që duhet të rrihet në rrugë derisa është i lidhur e në prani të qytetarëve.
Kapiteni ka arsyetuar dhunën duke u përgjigjur në formë shakaje se ‘ia ka thyer hoxhës ibrikun’.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka konfirmuar për KosovaPress arrestimin e një qytetari. Ai nuk është përgjigjur në pyetjen pse është grushtuar qytetari nga ana e kapitenit policor derisa ishte me duar të lidhura, në qendër të qytetit dhe në prani të qytetarëve.
“Po, është arrestuar një qytetar për mos respektim ose mos dëgjim të urdhrave” sqaroi shkurt Zahiti, pa dhënë asnjë detaj shtesë, duke u arsyetuar se akoma nuk ka raport zyrtar.
Top Channel