Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Gazmend Bytyçi, i cili ka qenë edhe pjesëtar i UÇK-së, ka thënë se deklaratat e Shkelzen Gashit, këshilltar i kryeministrit në ikje Albin Kurti kundër luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, përfaqësojnë mendimin dhe diskursin e lidershipit të VV-së të cilët tash e sa vite kanë njollosur dhe shpifur ndaj gjithë luftëtarëve të lirisë.

Ai tha se deklaratat e Shkelzen Gashit nuk janë as rast i veçantë, as aksidentale e as rastësore, pasi kjo është veç përpjekja e radhës e kësaj force politike për të denigruar luftën e lavdishme çlirimtare.

“Deri sa nuk kemi distancime nga kjo deklaratë, besojmë se qëndrimet e tij janë pjesë përbërëse themelore e bindjeve të lidershipit të Lëvizjes Vetëvendosjes.  Kjo është veç përpjekja e radhës e kësaj force politike për të denigruar luftën e lavdishme çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e saj”, tha ai.

Bytyqi ka përmendur deklaratën e Kurtit në seancë e shkarkimit që t’i quante mercenarë veteranët meqënëse shteti përkujdesej për ta, pastaj deklaratën e nënkryetares së Vetëvendosjes Kollçakut që bënte zëdhënëse e mediave dashakeqe serbe duke i konsideruar kriminelë lufte luftëtarët e UÇK-së, deputeten dhe anëtaren e kryesisë Fitore Pacollin që nëpërkëmbte nënën e dy heronjve Haradinaj.

Ai shtoi se kanë dëgjuar edhe deklaratat e zyrtarëve të lartë të kësaj partie që përputhen me interesat anti-Kosovë të Beogradit, si ajo e Haki Abazit që shpalli ndarjen e veriut, propozimin e ministrit Blerim Reka për të përmbushur aspiratës shekullore të Serbisë për të pasur një korridor që ofron dalje në Durrës.

“Pranimi nga ministri Vitia i hyrjes dhe veprimit në Kosovë të qindra zyrtarëve të Serbisë si dhe pranimi i lëmoshës prej 1000 teste. Dje, në Këshill të Sigurimit, ish-zëdhënësi i Millosheviçit, Ivica Daçiç lavdëronte humanizmin e Serbisë me dhënien e testeve. Ndërsa në të njëjtën ditë këshilltari i Kurtit lavdëronte Dick Marty-n dhe njolloste luftën çlirimtare të shqiptarëve”, tha Bytyqi.

Sipas tij, grupi parlamentar i PDK do të kërkojë që Kuvendi të miratojë shumë shpejt ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

“Kjo qeveri e shkarkuar, nga njëra anë ia ka dalë të rikthejë një pjesë të Kosovës nën kontrollin e Serbisë duke lejuar fuqizimin e strukturave paralele dhe shtrirjen atje të gjendjes së jashtëzakonshme të vendosur nga Beogradi. Ndërsa nga ana tjetër i ka dëmtuar rëndë marrëdhëniet me aleatin tonë strategjik duke orkestruar fushata linçimi për përfaqësitë më të lartë amerikanë e duke bërë madje që ky shtet mik të vendosi sanksione ndaj popullit më pro-amerikan në botë. Në të tilla rrethana Partia Demokratike e Kosovës do të rikthejë menjëherë projekt-ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës se Ushtrisë̈ Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Bytyqi theksoi se këtë projektligj nuk kanë mundur ta miratonim si pasojë e ndërprerjes së parakohshme e të paparashikuar të legjislaturës parlamentare.

“Qëllimi i këtij projektligji është që të bëj të obligueshëm institucionalisht mbrojtjen, respektimin dhe promovimin e vlerave të luftës së Ushtrisë̈ Çlirimtare të Kosovës, si një ndër kapitujt më të lavdishëm të historisë së popullit tonë”, tha ai.

Me anën e kësaj nisme, ai shtoi se do mund të nderohet sakrifica, përpjekja dhe kontributi i çmuar i të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA