Veliaj: “Sot do kishim inaguruar nënkalimin te “Shqiponja” po të mos ishte penguar projekti; i rikthehemi 100% kantiereve të punës”

24/04/2020 16:54

Bashkia e Tiranës do t’i rikthehet të gjitha kantiereve të saj të punës, si për rindërtimin e shkollave, ashtu edhe në veprat e tjera infrastrukturore. “Me lirimin e qarkullimit dhe kantiereve, Bashkia e Tiranës do i kthehet 100% kantiereve.

Për fëmijët, në 1 Qershor, do kemi një superdhuratë, “Parkun Rinia”. Dashtë Zoti çdo gjë shkon mirë, pra që fëmijët e nënat mund të lejohen të dalin, do kemi një qershor për t’u mbajtur mend. Siç e filluam mandatin, pra me një sherr dhe 1 qershorin tek këndi i lojërave tek Liqeni, Parku Rinia do jetë një bizhu në qendër të Tiranës, sidomos në këto kohë ku na duhet gjithmonë e më shumë hapësirë publike për të ruajtur distancën”, tha ai, teksa shtoi se kantiere të tjera që janë hapur janë zgjerime trotuaresh si tek stadiumi “Dinamo”.

“Po bëjmë të njëjtën gjë që bëmë përballë Taiëan-i, po e trefishojmë trotuarin, sepse besoj që e ardhmja pas Covid19 do jetë e ardhmja e çiklistëve dhe e këmbësorëve. Do të shihni javën tjetër që korsi si kjo që jemi tani do të lindin në shumë vende të qytetit”, tha ai.

Por, në kryeqytet janë në total rreth 11 shkolla që do i nënshtrohen procesit të ndërtimit. “Shkolla “Lasgush Poradeci” në Kombinat, kemi të njëjtin skenar, do të prishet për t’u bërë nga e para. Në disa shkolla të tjera si “Emin Duraku”, duke qenë se janë ndërtuar në kohë të ndryshme, ndërhyrja do të jetë e pjesshme, pra do prishet vetëm një pjesë e shkollës, ndërkohë që pjesa që i ka rezistuar edhe testimit që kanë bërë inxhinierët me studim të thelluar, do të vazhdojë të ekzistojë. Në total janë 11 shkolla, 7 prishen totalisht: “Lasgush Poradeci” në Kombinat, shkolla “Murat Toptani” dhe kemi disa shkolla në fshatra si në Pezë Pezë Helmës etj. Siç e pate, po ndërtojmë dy shkolla në Kodër Kamzë, shkolla “Nënë Tereza” dhe “John F. Kennedy”, pra një 9-vjeçare dhe një e mesme”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se koha ka treguar se aty ku ka bashkëpunim edhe projektet ecin më shpejt. “Javën tjetër do të bëjmë një inspektim tek rreth rrotullimi “Shqiponja”. Po të kishin ecur punët siç ishin planifikuar, sot do ta kishim hapur nënkalimin atje, por humbëm dy vjet kot; nxënës të së njëjtës shkollë, ca në Presidencë, ca në Bashki, ca në opozitë, që ziheshin për Astirin. Ja ku jemi sot, në vend që të inauguronim hapjen e Astirit, pra bashkë me hapjen pas epidemisë, të bënim edhe hapjen e një nënkalimi modern, na detyron të inspektojmë fillimin e punimeve. Shpresoj që epidemia na ka bërë të reflektojmë sa kohë harxhojmë kot dhe sa shpejt ecin punët kur bashkëpunojmë. Kujtoni shkollën “Kosova”, gangrenë 12 vite, por kur kryeministri, kryetari i Bashkisë bashkëpunojnë dhe ecin përpara, mbaroi për një vit. Shpresoj të njëjtin fat do ketë “Sami Frashëri”, shpresoj që asnjë nga këto projekte nuk do bllokohet për teka politike sepse Astiri ishte një tekë e madhe politike”, nënvizoi Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA