Një gazetar kinez që ishte ndjekur dhe më pas arrestuar në Wuhan, epiqendrën e epidemisë së koronavirusit në vend, është rishfaqur pas thuajse dy muajsh.
Li Zehua e transmetoi ndjekjen dhe arrestimin e tij nga policia më 26 shkurt dhe nuk ishte parë më në publik që atëherë. Të mërkurën ndërkohë, ai publikoi një video në të cilën thoshte se kishte kaluar dy javë në karantinë në Wuhan dhe më pas, sërish një periudhë karantine në qytetin e tij të lindjes. Atij i ishte thënë se karantina ishte e nevojshme pasi kishte qenë në zona sensitive.
Li Zenhua, kishte shkuar në Wuhan në shkurt pasi një tjetër gazetar, Chen Qiushi, ishte zhdukur. Në videon e parë të tij nga Wuhani ai shpjegonte përse ishte atje. “Para se të hyja në Wuhan, një mik që punonte në një nga mediat kryesore kineze më dha gjithë lajmet e këqia që ai kishte mbledhur për epideminë.
Sipas tij, mediat lokale mund të raportonin vetëm lajmet e mira për shërimin e pacientëve etj ndërkohë që shkalla e vërtetë e infektimeve, mbulohej. Chen Qiushi, vazhdon të jetë i zhdukur, sipas një llogarie në twitter të menaxhuar nga miqtë e tij. Kontakti i fundit me ta ka qenë 75 ditë më parë. Një tjetër gazetar që ka raportuar nga Wuhani, Fang Bin, po ashtu nuk është bërë i gjallë që nga shkurti.
Top Channel