Kryeministri Edi Rama në komunikimin në facebook theksoi se po shihen disa mundësi për hapjen e kafeneve, i pyetur nga një qytetar, që ka përmendur dhe faktin se në disa shtet po aplikohet “take away”.
” “Jeta e re” në bashkëjetesë me koronavirusin nuk do ketë më shtrëngime duarsh e plazh me grumbuj njerëzish, e lokale nate apo bar kafe që konsiderohen në gjithë botën për momentin vatra të rrezikshme infeksioni. E gjithë ekspertiza e këshillat janë që të ruhemi seriozisht nga hapja e bareve restoranteve se janë vatër infeksioni i jashtëzakonshëm por i shohim të gjithë opsionet por duhet dhe pak durim”, tha Rama.
Rama theksoi se edhe lëvizja me mjet privat do lehtësohet në ato zonat ku “do pilotojmë një hapje më të madhe”.
“Harrojeni normalitetin që kishim para kësaj, deri kur të dalë vaksina normaliteti s’do jetë më si ai i mëparshmi, futeni në kokë mirë, normaliteti i ri do jetë ndryshe, s’ka më dhënie dore, turru në autobus, restorante e bëj radhë sa të lirohet vendi, s’ka më shko në plazh atje dhe bëj transmetim me valë avujsh djerse e alkooli nëpër pub-e dhe ato beach bar-e, s’ka më nuk ekziston nuk mundet, por s’do rrimë të gjithë brenda do dalim e të bashkëjetojmë me atë rrezik në cdo hap. Mjaftojnë pak për t’i bërë gjëmën gjithë popullit e pastaj e shikojnë mirë ata që thonë se kjo është përrallë”, u shpreh kryeministri.
Top Channel