Trump u drejtohet myslimanëve: Ky është një muaj për të forcuar besimin, lexoni Kuran dhe bëni vepra bamirësie

23/04/2020 17:04

Presidenti amerikan Donald Trump uroi myslimanët në SHBA dhe në mbarë botën me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.“Për miliona njerëz, -ka shkruar ai, – ky muaj i shenjtë është një mundësi për të përtëritur dhe forcuar besimin e tyre përmes agjërimit të rreptë, faljeve së devotshme, meditimit dhe reflektimit, leximit të Kuranit dhe veprave bamirëse.

Këto akte përputhen ngushtë me vlerat universale që promovon besimi islam – paqja, mirësia, dashuria dhe respekti për të tjerët.” Ndërsa Sekretari i Shtetit Michael Pompeo thotë në mesazhin e tij se në Shtetet e Bashkuara, në rrethana normale, shumë xhami, shtëpi dhe qendra komunitare mirëpresin miqtë dhe fqinjët e besimeve të ndryshme, por këtë vit COVID-19 ka sjellë ndryshime të papritura për festimet e myslimanëve kudo ndodhen.

Rreth 1.8 miliard myslimanë në gjithë botën janë duke u përgatitur për Muajin e Shenjtë të Ramazanit edhe pse në kohën e  koronavirusit, çka ka shtyrë autoritetet nga Maroku deri në Indonezi, që të angazhojnë forca policore për të kufizuar lëvizjet e besimtarëve. Në mbarë botën myslimane është regjistruar një numër më i vogël i të infektuarve dhe të vdekurve nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, ndonëse qasja në informacione kanë qenë e vështirë për t’u siguruar në disa vende.

Pandemia kësaj here ka ndryshuar disa tradita shekullore të myslimanëve për Ramazan, pasi xhamitë janë mbyllur dhe janë vënë ndalesa për lutje të disa personave bashkë. Në varësi të shtetit, fillimi i muajit hënor nis në 23 prill apo 24, çka nënkupton se myslimanët duhet të heqin dorë nga ushqimi, pijet, konsumimi i duhanit dhe marrëdhëniet intime nga lindja në perëndim të diellit. Kufizimet e lidhura me koronavirus janë duke prekur edhe bizneset, të cilat zakonisht kanë qarkullim të shtuar, pasi njerëzit blejnë sasi më të madhe të ushqimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA